Edhe pse është shprehur me optimizëm për tendencën pozitive në reformat e tjera, diplomati rumun e ka konsideruar këtë një proces të vështirë në themel të të cilit mbetet lufta ndaj korrupsionit.
"Është e qartë që Shqipëria po bën përparime në reformën në drejtësi. Ky është një aspekt që është parë nga shtetet e KE, por edhe nga faktorë të tjerë në rajon. Është e qartë që kushtëzohet nga kjo reformë rruga për t’u anëtarësuar në BE. Edhe në reforma të tjera tendenca është pozitive. Procesi është mjaft i vështirë dhe këtë e thotë një përfaqësues i një shteti i cili e ka kaluar këtë periudhë tranzicioni dhe ende po lufton e po bën përpjekje të mëdha për të reformuar sistemin e drejtësisë dhe për të luftuar sistemin e korrupsionit. Jam i bindur se Shqipëria do ta kalojë me sukses këtë proces dhe për mendimin tim është shumë i domosdoshëm konsensusi politik. Gjithashtu flas nga përvoja e Rumanisë. Duhet që shoqëria civile të përforcohet dhe ta shtyjë e ta forcojë këtë proces drejt përfundimit", deklaroi Tekulesku.
Ambasadori rumun këto deklarata i ka bërë teksa ka qenë prezent në qytetin e Korçës, ku është përuruar Qendra Kulturore Rumune, si dhe janë shpërmdarë çertifikatat për studentët që kanë ndjekur mësimin e gjuhës rumune në universitetin “Fan Noli” në Korçë, ku edhe ka vlerësuar bashkëpunimin kulturor dhe ekonomik mes dy vendeve./Tch
Redaksia Online
( b.h/Shqiptarja.com )