TIRANE- Ambasadori shqiptar në Londër Mal Berisha i ka bërë elozhe ish-kryeministrit Sali Berisha në momentet e fundit të qeverisjes së tij. Një ditë pas postimit nga kryeministri Berisha të fotove të mbledhjes së fundit, ambasadori ynë në Britani i ka thurur një varg të gjatë me lajka duke e cilësuar Berishën si profesorin që u mësoi shqiptarëve demokracinë. “I dashur Doktor! Në historinë më të re të Shqipërisë, jeni jo vetëm Profesori i Kardiologjisë që u mësoi studentëve shqiptarë profesionin e nderuar të mjekut në pavionin e spitalit dhe në katedrën e Fakultetit të Mjekësisë, por na mësove edhe leksionin më të madh të demokracisë. Edhe këtë të dytën na e mësove sa në fushën e betejës kundër diktaturës, aq edhe në katedrën e institucioneve demokratike.

Kur sheh bilancin e këtyre viteve, nga kjo lartësi na duket edhe më i thellë honi i tmerrshëm prej nga dolëm. Morët një Shqipëri me 750 mijë bunkerë, një popull të paushqyer, të paparë e të padalë, të mjeruar e të pa shpresë dhe po e dorëzoni këtë vend, të sigurtë, aleat me fuqitë më të mëdha demokratike të botës, anëtare të NATO-s, me kufij të kontrolluar me sistemet më të përparuara të botës, por edhe më të lirin për t’u kaluar”, shkruan Berisha.

Duker nënvizuar se e ktheu Shqipërinë nga një vend plot me burgje politike dhe kampe internimi në një vend të lirë, një vend pa të drejtë zgjedhjeje politike, në një vend që populli votoi i lirë. “Është e pamundur të bëhet një bilanc i plotë i tërë asaj që bëtë dhe arritët me aq sakrifica, mundim, përpjekje, përkushtim mbinjerëzor, titanik. Mirënjohje, respekt të thellë, urime, dhe jetë të gjatë e të lumtur me të dashurit tuaj, që të gëzoni bashkë me çdo shqiptar. Faleminderit!”, shkruan ambasadori, duke i atribuar gjithë ecurinë e tërë këtyre viteve Sali Berishës.
 
Emërimi
Mal Berisha më 27 qershor 2013, i dorëzoi Letrat Kredenciale të Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Britaninë e Madhe dhe Irlandën e Veriut, Mbretëreshës Elizabeta II.
 
Shkrimi u publikua sot (23.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)