TIRANË- Presidenti Ilir Meta ka pritur në një takim ditën e sotme, ambasadoren e Holandës në kuadër të përfundimit të misionit të saj diplomatik në vendin tonë.

Në një postim në ‘Facebook’, Meta shpreh mirënjohjen për mbështetjen që Holanda ka dhënë për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ndër të tjera Meta shkruan se vlerëson kontributin e Ambasadores në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.

“Pata kënaqësinë të takohesha sot me Ambasadoren e Holandës në Tiranë, SH.S.Znj. Guusje Korthals Altes, me rastin e përfundimit të misionit të saj diplomatik në vendin tonë.

Vlerësova kontributin e Ambasadores në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, nënvizova nivelin shumë të mirë të tyre dhe rëndësinë e forcimit më tej në dobi të dy vendeve tona veçanërisht në fushën e shkëmbimeve ekonomike dhe investimeve të huaja, ku Holanda zë një vend të rëndësishëm dhe në rritje.

Falënderova për mbështetjen e Holandës për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, në veçanti për qëndrimin inkurajues të Parlamentit holandez për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë.

E falënderova Ambasadoren për ndihmën e Holandës, si për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti i vitit 2019, ashtu edhe për ndihmën e vyer në  përballimin e pasojave të COVID-19 në Shqipëri, nëpërmjet programit UNICEF Albania, shkruan Meta.