/ATSH/- Dhoma Amerikane e Tregtisë mirëpret përpjekjet për uljen e informalitetit në tregun shqiptar. Informaliteti është ngritur si një shqetësim kryesor nga ana e anëtarëve tanë herët në takimet me ministrin e Financave, Shkëlqim Cani në 2013 dhe renditet si çështja nr. 1 në Indeksin e Biznesit të AmCham (ABI) 2013 dhe 2014, thuhet në deklaratën për media të shpërndarë të premten nga kjo Dhomë.
Ndërkohë, Dhoma Amerikane ngren shqetësimin lidhur me efektet anësore të këtij aksioni, që sipas saj, e ka zanafillën në ndryshimet e Ligjit për Procedurat Tatimore, të cilat kaluan, thotë Dhoma, pa një diskutim paraprak me organizatat e biznesit dhe kanë filluar të ndihen te biznesi duke dhënë një efekt të kundërt nga sa pritej.
"Ne mendojmë se ky plan masash duhej të konsultohej më parë me biznesin dhe duhet të kishte edhe përkrahjen e tij. Shqetësimi ynë është se ky plan masash në vend që të bëhet një nxitje për formalizimin e ekonomisë do të kthehet në një "shkop ndëshkues" për biznesin duke i prerë rrugëtimin bizneseve të cilat kanë paqartësi dhe probleme të riparueshme, por dhe iniciativave të reja të cilat nuk munden të lulëzojnë në një klimë të tillë", thuhet në deklaratë.
Masat penalizuese në ligj, shprehet Dhoma, nuk tentojnë të edukojnë dhe të korrektojnë gabimet e biznesit, por kanë një efekt penalizimi të tejskajshëm që sjell falimentin e tyre. Gjobat dhe penalitetet, sipas saj, duhet të jenë në proporcion me nivelin e biznesit.