Amerikanët japin propozimet si mund të funksionojë Asociacioni në Kosovë, Kurti hesht

Amerikanët japin propozimet si mund të funksionojë Asociacioni në Kosovë, Kurti hesht

Amerikanët i kanë propozuar qeverisë së Albin Kurtit modele që sipas tyre mund të funksionojnë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Ambasadori Jeff Hovenier tha se e kanë inkurajuar qeverinë që t’i shqyrtojë. Këtë e ripërsëriti Emisari Special, Gabriel Escobar.

Qeveria e Kosovës ka zgjedhur të hesht para ‘elefantit në dhomë’ pasi s’është përgjigjur në pyetjet e gazetës se çfarë modele u janë propozuar nga ShBA-ja dhe se a do t’i shqyrtojnë ato. Lidhur me këtë çështje kanë folur për Gazetën Express Isa Mustafa, Lutfi Haziri e Visar Ymeri.

Çështja e Asociacionit është ritkthyer në diskursin e politikës kosovare këto ditë pas deklaratave të ambasadorit amerikan  Jeff Hovenier i cili tha se SHBA beson se në Kosovë duhet të ketë një Asociacion të komunave me shumicë serbe.

Por, teksa ka shpalosur qëndrimin e vendit të tij, diplomati amerikan është kujdesur që t’ia heq brengat lidershipit dhe opinionit kosovar. Hovenier këtë e ka bërë duke e shpalosur përvojën e tij në bisedimet e Vjenës ku është vendosur për provizionet e pakos së Ahtisaarit rreth kësaj cështjeje.

“Në kohën e Ahtisaarit, askush nuk kishte në mendje diçka që do të kishte një shtresë tjetër të qeverisë, diçka me funksione ekzekutive, diçka që… jam i vetëdijshëm për shqetësimet për një Republika Sërpska tjetër. Askush nuk është i interesuar për këtë. Kjo nuk i ndihmon Kosovës. Nuk është e dobishme” ka theksuar ai.

Gazeta Express ka pyetur Qeverinë e Kosovës rreth propozimeve që amerikanët kanë sugjeruar, por nuk ka marrë përgjigje. As nga zyra e shefes së shtetit, Vjosa Osmani, s’kanë komentuar në lidhje me këtë çështje.

Në dhjetor të vitit të kaluar në Bruksel, kur Përfaqësuesi i Lartë Josep Borell ia përmendi këtë temë Albin Kurtit, pati përplasje mes tyre

“Kam frikë se ky Asociacion i Komunave me Shumicë Serbe, është më shumë në shërbim të Beogradit sesa qytetarëve të varfër serbë të Kosovës, të cilëve unë u shërbej si kryeministër i republikës sonë”, tha Kurti derisa ia përmendi Borellit vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asocacionin.

E Borell tha se nuk pajtohet me qëndrimin e Kurtit.

“Nuk pajtohem me ju që Gjykata Kushtetuese e bën të pamundur zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Më vjen keq kryeministër, por duhet të kërkojmë zbatimin e kësaj marrëveshjeje” tha Kurti.

Gazeta Express ka folur me Lutfi Hazirin, përgjegjësin për dialog dhe bashkëpunim rajonal nga LDK-ja, i cili thotë se modelet e propozuara nga amerikanët për Asociacionin s’janë jashtë Marrëveshjes së vitit 2013 të negociuar në Bruksel.

“Nuk ka diçka të veçantë jashtë asaj që është bisedu në Bruksel, pra Marrëveshja e parë e nënshkruar në vitin 2013, pa u prekë nga Gjykata Kushtetuese. Mbetet me pa, vizita është në fillim të javës së ardhshme, mbetet me pa krejt çka ka eventualisht, por unë po besoj që dokumenti si i tillë nuk ka dalë jashtë Marrëveshjes së Brukselit”, tha Haziri për Express.

Edhe opinionisti Visar Ymeri pohon që modelet e propozuara mund të jenë të ngjashme me Marrëveshjen e vitit 2013.

“Unë e kam të pamundur ta di se çfarë modele janë këto të propozuarat. Megjithatë nuk besoj se janë shumë larg e shumë jashtë kornizave të caktuara nga Marrëveshja e Parë e vitit 2013, kjo e ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës më 2013 e e konfirmuar pastaj edhe përmes aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të dhjetorit të vitit 2015”, tha Ymeri për Gazetën Express.

Ndërsa, Ish-kryeministri Isa Mustafa duke folur për Express thotë se s’mund ta di se çfarë modalitete kanë propozuar amerikanët por që gjatë kohës së tij si shef ekzekutivi kanë qenë modalitete të përmbajtura dhe të pajtuara me marrëveshjet e atëhershme.

“Sa u përket amerikanëve, unë nuk i jap vetes të drejtë të them se çfarë janë modalitetet e tyre. Unë vetëm mund të them se çfarë kanë qenë në kohën kur unë kam qenë kryeministër, e të cilat janë të përmbajtura dhe të pajtuara në marrëveshjet e atëhershme”, tha Mustafa.

Haziri i cili ka qenë njëri nga akterët kryesor të bisedimeve të Vjenës tha se është e domosdoshme që kryeministri Albin Kurti të bashkëpunojë ngushtë me amerikanët pas dinamizimit të rolit të tyre dhe vizitës së parë në Kosovë të Emisarit Special, Escobar.

“Domosdoshmërisht bashkëpunimi me qeverinë amerikane[i qeverisë së Kosovës] në kohën kur ata e dinamizojnë rolin e tyre në Ballkan duhet të jetë i ngushtë dhe në partneritet të ngushtë. Ardhja për herë të parë e Escobarit si Përfaqësues i Veçantë i SHBA-ve, i jep edhe dinamikë të re edhe shpresë dialogut”, u shpreh Haziri.

Por skeptik është ish-kryetari i VV-së, Visar Ymeri, që vlerëson se kryeministri Kurti s’ka ndryshuar qëndrim për çfarëdo mundësie të zbatimit të ndonjë versioni të mundshëm të Asociacionit.

“Deri tash Qeveria dhe Kryeministri kanë qenë tërësisht refuzues ndaj çfarëdo mundësie të zbatimit të cilitdo version të Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe. Deri tash nuk ka ndonjë indikacion publik se kanë ndryshuar qëndrim në këtë drejtim”, tha ai.

Ymeri thotë se abstenimi nga dialogu do t’i kushtojë shumë Kosovës.

“Mendoj që Qeveria e Republikës së Kosovës do të duhej ta merrte seriozisht procesin e dialogut dhe t’i shfrytëzoj të gjitha mundësitë që na janë krijuar përmes përfshirjes shumë më të vendosur të ShBA që të përmbyllet procesi i dialogut dhe t’i hapen rrugë të reja subjektivizimit ndërkombëtar të Kosovës. Në këtë drejtim Qeveria e Republikës dhe veçanërisht Kryeministri Kurti duhet ta ravijëzojnë qëndrimin e vet parimor e strategjik për qëndrimet e Kosovës në dialog dhe mënyrën se si mendojnë t’i zgjidhin çështjet të cilat diskutohen aty. Abstenimi nga dialogu mendoj se do t’i kushtojë shumë Kosovës”, u shpreh Ymeri.

Për t’i kthyer Kosovën e Serbinë në tavolinën e dialogut, ShBA-ja dhe BE-ja kanë angazhuar emisarët e tyre specialë Gabriel Escobar e Miroslav Lajçak të cilët do të qëndrojnë në Prishtinë e Beograd në fillim të javës së ardhshme.

Gabriel Escobar konfirmoi atë që e tha ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, se i kanë propozuar qeverisë së Kosovës modele se si mund të funksionojë Asociacioni dhe i kanë inkurajuar që t’i shqyrtojnë.

“Presim që si Kosova, ashtu edhe Serbia t’i respektojnë zotimet e mëhershme. Qeveria e Kosovës është zotuar që të ketë një Asociacion i komunave me shumicë serbe (AKS). Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë dhe nuk do të diktojnë se çka duhet të bëjë ky Asociacion e as cilat duhet të jetë kompetencat e tij; ky është vendim sovran që duhet ta marrë qeveria e Kosovës. Ka shumë modele që funksionojnë, duke përfshirë modele të shumta që do të lejonin bashkërenditje më të mirë lokale pa një nivel tjetër të qeverisë ose pushtetit ekzekutiv. E nxisim qeverinë e Kosovës që t’i shqyrtojë me kujdes këto modele”, ka thënë dje Escobar për gazetën online ‘Reporteri’

Që të punojë ngushtë me Escobarin dhe Hovenierin, kryeministrin Kurti e ka porositur kryediplomati amerikan Antony Blinken përmes një letre që i ka dërguar para dy javësh.

Shefi i politikës së jashtme të ShBA-së në letrën e tij ka shprehur qëndrimin se presin të bashkëpunojnë me kryeministrin Kurti për ta zbatuar agjendën e presidentit Biden, përfshirë marrëveshjen e vonuar Kosovë-Serbi me fokus në njohjen reciproke.

Letrën e Blinkenit, shefi i qeverisë Albin Kurti me tone paksa sarkastike duke iu përgjigjur kritikave e ka konsideruar të mirë dhe që ia vlen të rilexohet.

Në Marrëveshjen e parë të Brukselit, të vitit 2013, për parimet që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjashtë pikat e para i referohen  Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në atë marrëveshje është e shkruar që ky Asociacion do të themelohet në bazë të statutit dhe se shpërbërja e tij mund të bëhet vetëm me vendim të komunave pjesëmarrëse./ Gazeta Ekspres

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare