TIRANË - Volumi i tregut sekondar të letrave me vlerë të qeverisë gjatë vitit 2014 u dominua në masën 77.74% nga transaksionet në instrumente afatshkurtër (bono thesari) dhe pjesa tjetër prej 22.26% ishin instrumente afatgjatë (obligacione). Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, AMF, përsa i takon numrit të transaksioneve, 98.35% e të gjitha transaksioneve të tregut sekondar të letrave me vlerë të qeverisë, i takojnë transaksioneve të kryera me bono thesari. Të dhënat statistikore të tregut me pakicë të letrave me vlerë të Qeverisë gjatë vitit 2014 flasin për një dominim të transaksioneve "blerje në tregun primar" dhe "Shlyerje e vlerës nominale në maturim" përkatësisht me 61.87% dhe 19.95% kundrejt volumit të përgjithshëm. Pjesëmarrja në tregun sekondar të letrave me vlerë të qeverisë dominohet nga investitorët individualë, të cilët kryejnë rreth 97.67% të të gjitha transaksioneve në këtë treg. Krahasuar me vitin 2013, vihet re një rritje në vlerë absolute e totalit të transaksioneve me rreth 2,427 milionë lekë./ATSH/