TIRANË - Amnesty International në një deklaratë zyrtare ka përshëndetur qëndrimin e kryeministrit Berisha për paradën e komunitetit LGTB në Shqipëri.
Pasi ka bërë një përmbledhje të përgjithshme të debatit të lindur pas deklaratës së zv.ministrit Ekrem Spahia për paradën që pritet të mbahet më 17 maj, AI i kujton qeverisë shqiptare se është e detyruar, sipas ligjit ndërkombëtar dhe të brendshëm për të garantuar të drejtat për liri të tubimit, të komunitetit LGBT dhe përkrahësve të tyre.
”Çdo kërcënim kundër të drejtave të njerëzve LGBT, që nxit diskriminimin armiqësor apo dhunën ndaj organizatorëve ose pjesëmarrësve duhet të hetohen në mënyrë efektive nga autoritetet shqiptare”, thuhet në deklaratë.
Sipas Amnesty International, është detyre e policisë të identifikojë personat e mundshëm që kërcënojnë sigurinë e pjesëmarrësve në paradë.
” Masa efektive të sigurisë duhet të vihen në vend për të mbrojtur pjesëmarrësit, duke përfshirë një përfaqësim adekuat të policisë në vendin e përzgjedhur për ngritjen e flamurit LGTB”, përfundon deklarata e AI.

(aq/shqiptarja.com)