TIRANE- Rrëzohet kërkesa e Partisë Demokratike për të ndryshuar ligjin e amnistisë. Propozimi i bërë nga dy deputetët e Partisë Demokratike, Arben Ristani dhe Oerd Bylykbashi, për përjashtimin nga përfitimi i amnistisë komisionerëve që kanë kryer krime elektorale nuk u pranua nga ana e PS-së. Në argumentin e paraqitur nga relatori i çështjes, Vexhi Muçmata u theksua se kërkesa e bërë nga PD çon në diskreditimin e personave që ishin në hetim pasi, ata bëhen fajtor pa u gjykuar ende dhe si për rrjedhojë, shkel parimin kushtetues të barazisë para ligjit.

“Ndryshimi i kërkuar do të çoi në shkeljen e barazisë para ligjit. Propozimi bie ndesh me të drejtat kushtetuese. Nuk mund të gjykohet hetimi i një procesi pasi paragjykojmë. Ligji i miratuar nuk ka efekt prapaveprues”,- tha Muçmata në argumentimin e tij.

Por ky qëndrim i mazhorancës solli edhe reagimin e deputetëve opozitar ku Eduar Halimi doli me një kërcënim të hapur se nëse nuk votohet kërkesa e tyre atëherë do të ketë pasoja të rënda. Në fjalën e tij për diskutimin e projektligjit të depozituar nga demokratët, Halimi theksoi se drafti i paraqitur nga ata është në përputhje me të gjitha ligjet dhe për rrjedhojë nuk ka se përse të rrëzohet. “Sa herë është bërë amnistia, është pranuar që korrupsioni politik të mos falej.

Po afrohen zgjedhjet dhe ne duhet t’i themi njerëzve se ndëshkojmë korrupsionin. Doni të bëni lojëra politike, bëjini, por do të keni pasoja”,- tha Halimi. Në vijim të këtij argumenti, propozuesi i ligjit, Bylykbashi theksoi se opozita do të dalë në protesta për të mbrojtur votën. “Ne do t’i qëndrojmë kësaj nisme edhe nëse ju nuk do ta miratoni. Debati publik nëse nuk votohet do të vijojë ashtu siç u bë me protestën kundër shit-blerjes së votës në Korçë”,- tha Bylykbashi.

Përplasja
Në një mbledhje e cila zgjati për rreth 3 orë, deputetët e Partisë Demokratike debatuan me mazhorancën lidhur me kërkesën e tyre ku ngulmonin që ajo të miratohej. PS-ja nga ana e saj theksoi se nuk mund të kërkohet ndryshimi i një amnistie ku si argument përdori një propozim. Konkretisht deputetja Ermonela Felaj bëri një krahasim të amnistisë së bërë një muaj më parë me atë të vitit 1997, ku në këtë të fundit u fal edhe vepra penale e rrëmbimit.

Sipas saj, të njëjtën kërkesë të bërë nga PD mund ta bëj edhe PS për të rifutur në burg personat të cilët kanë rrëmbyer biznesmenin Remzi Hoxha të cilët më pas u liruan nga amnistia. “Me amnistinë e vitit 1997 u fal vepra penale si rrëmbimi ku u liruan personat që rrëmbyen biznesmenin Remzi Hoxha. Me të njëjtën logjikë eja ta heqim rrëmbimin nga ajo amnisti dhe të arrestojmë vrasësit e Remzi Hoxhës”,- tha Felaj.

Pas Felajt, deputeti tjetër i mazhorancës, Dashamir Peza theksoi se PD nëpërmjet kësaj nisme të propozuar në komision kërkon që t’i jap frymë një retorike boshe. Sipas tij, i gjithë argumenti i përdorur nga opozita ishte një arsye për të gjetur një kauzë të cilën nuk e kanë. “Kjo është një lojë politike për të ndërtuar një debat që se mbani dot. Kthimi i këtij drafti ka si qëllim mbajtjen gjallë të një retorike boshe”,- tha deputeti socialist Dashamir Peza.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 4 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)