Më shumë 10 mijë persona do të përfitojnë nga amnistia e ardhshme penale. Mbi 7700 prej tyre kanë procedime për drejtim të parregullt të automjeteve. Vetëm pak më shumë se 1300 janë të dënuar, nga të cilët 380 të dënuar do të lirohen ndërsa 900 të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi. Detajet i dha në një konferencë për mediat ministri, Besfort Lamallari i cili tha se po shohin të arsyeshme ndryshimet ligjore për paraburgimet për veprat e lehta.

“Amnistia penale është dërguar në Këshillin e Ministrave, do kemi miratimin e aktit në mbledhjen e qeverisë dhe depozitimin në Kuvend. Është një kategori shumë e madhe që përfitojnë, nga shifrat paraprake, duke përfshirë dhe procedimet e 2024, numri i përfituesve është i lartë, 10 mijë persona që përfitojnë. 338 përfitojnë lirim të menjëhershme, 980 që përfitojnë ulje dënimi.

Kemi një kategori të lartë personash, grupe vulnerabël, duke përfshirë dhe gra dhe të mitur që përfitojnë nga ky akt human, kjo tregon që jemi shoqëri që duhet të orientohet drejt parandalimit, rehabilitim, t’i japim një mundësi të dytë dhe mbështetje personave që në momente të caktuara bien pre e zbatimit represiv të ligjit. Nuk është ky qëllimi ynë, duhet të ndryshojmë qasje, mendësi, të jemi drejt faljes, mundësive reale. Arresti me burg duhet të jetë fjala e fundit”, tha ministri.

Ministri sqaroi se nuk përfitojnë persona në hetim apo gjykim nga SPAK dhe GJKKO. 

“Nuk përmban këto dënime. Për ne është e rëndësishme të mos krijojmë spekulime. Duke marrë parasysh edhe kontestin në të cilën ndodhemi dhe mbështetjen që i kemi ofruar organeve të reja të drejtësisë, SPAK dhe GJKKO, kjo nuk përfshin persona në hetim apo gjykim nga GJKKO”, tha Lamallari.

Por se kur ajo do të mund të zbatohet, kjo do të varet nga miratimi në qeveri, më pas në Komisionet parlamentare dhe vota përfundimtare në Kuvend. Amnistia vjen në një moment debatesh për numrin e lartë të paraburgosurve. Ministria e Drejtësisë ka nisur nga puna për të gjetur zgjidhje. Një ditë më parë kjo ishte dhe tema e një takimi me ekspertë të huaj.

Ata vijnë me propozim që për veprat e dënueshme deri në 3 vite mos ta vendosin, duke e parë rast pas rasti dhe kjo kërkon një analizë të theksuar se cilat janë veprat që mund të dënohen deri në 3 vite, por nga natyra mund të përjashtohen nga ky rishikim dhe prekën me të drejtë, kufijtë deri ku mund të aplikohet masa e paraburgimit për një person, si për 1 vit për veprat e mesme, një rrezikshmëri jo e theksuar, por që kërkon vëmendje, apo deri në 2 vite për veprat e rënda.

Në burgje, aktualisht mbi 50% janë të paraburgosur. Ministri Lamallari nuk dha një shpjegim se përse kjo problematikë nuk është trajtuar më parë. Në  dy raportet e Komitetit Kundër Torturës, si në 2019 dhe në 2023, autoriteteve shqiptare u është kërkuar të bëjnë përpjekje të forta për të kufizuar përdorimin e paraburgimit.

Një prej institucione e vuajtjes së dënimit, ai në Durrës, pret vetëm të paraburgosur. Njëri prej tyre, Altin Ndoci, pak javë më parë u arratis, pasi u shoqërua në spital, vend ku kundrejt parave të burgosurit dërgoheshin dhe për takime speciale.

Skandali që dëshmoi një zinxhir dobësish në hallkat e sistemit, ka shtyrë ministrinë që të kërkojë një vlerësim të përgjithshëm në çdo burg.

"I kam kërkuar Shërbimit të Kontrollit të Burgjeve të jenë të pranishëm në çdo IEVP, për të garantuar evidentimin e këtyre situatave, është raport që po përgatitet. Ka informacione ditore që përcillen nga Shërbimi i Kontrollit të Burgjeve", tha Lamallari. 

Lamallari përmendi edhe arsyet e transferimeve të të burgosurve gjatë ditëve të fundit.

"Kalimi i të burgosurve nga Durrësi në Fier dhe Peqin ishte e duhur dhe e drejtë. Për të mos krijuar mbipopullim dhe për të përmirësuar infrastrukturën kaluam ata me rrezikshmëri të ulët në Durrës dhe tjerët në burgje me rrezikshmëri të lartë", vijoi ministri. 

Lamallari foli edhe për të shumë diskutuarin Kodin e Ri Penal, i cili sipas tij që prej verës së shkuar ka ndryshuar më shumë se 50%, ndërsa e rëndësishme mbetet të ketë edhe një konsultim të dytë, deri në miratimin përfundimtar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:10
Kodi i ri Penal, Lamallari: E rëndësishme që të kemi një konsultim të dytë publik

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari thotë se është bërë një punë e mirë lidhur me kodin e ri penal, teksa është ndryshuar gjysma e draftit e paraqitur për konsultim publik në korrik.

Lamallari shtoi se do të ketë një konsultim të dytë publik, e pasi të përfundojë drafti, do t'i dërgohet Komisionit Europian.

“Lidhur me Kodin Penal, është bërë një punë shumë e mirë nga grupi i punës. Ka ndryshuar gjysma e draftit të paraqitur në korrik për konsultim publik. Puna do të vijojë intensivisht. Ne kemi bashkëpunuar dhe kemi marrë mendime dhe analiza konkrete nga Këshilli i Europës, edhe për kodin e procedurës penale. Kur flasim për paraburgimin, nuk preket vetëm njëri kod, por edhe kodi penal. Në kuptimin e afateve, kjo do të varet edhe nga përfundimi i shpejtë i reflektimit të mendimeve të ardhura nga institucione të ndryshme. Është e rëndësishme që të kemi raund të dytë takimesh, secili prej institucioneve që ka dhënë kontribut, të ballafaqohet nga grupi i punës. Në përfundim të fazës së dytë, do të kemi dërgimin e draftit final në Komisionin Europian. Është një çështje kolosale. Është e rëndësishme që në vend që të kemi një draft që jo vetëm të marrë dritë jeshile nga Komisioni Europian, por të jetë i mirëkonsultuar.", deklaroi ministri.

Ora 13:06
Rasti i Irena Gjokës, Lamallari: Nuk është detyra jonë të komentojmë hetime nga ILD e KLGJ

I pyetur gjatë konferencës për shtyp sesi e sheh çështjen e gjyqtares Irena Gjoka, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, nuk pranoi të komentonte. Ai tha se nuk ka hezituar të publikojë ankesat e qytetarëve për zgjatjen e afateve të zbardhjes së vendimeve gjyqësore.

“Nuk është detyra jonë të komentojmë raste konkrete apo hetime nga ILD apo KLGJ. Sa i përket garantimit të kryerjes së detyrë sipas përcaktimeve ligjore dhe duke marrë në konsideratë ankesat nga qytetarët drejtuar ministrisë për pretendime me zgjatje të afateve deri në pafundësi të zbardhjeve të vendimeve gjyqësore, nuk kam hezituar për çdo rast, për t’i çuar në ILD , kemi bërë publike rastet”,  tha Lamallari.

Ora 13:00
'Kur pashë raportin, ishte shokuese'! Lamallari: Numër i lartë i të paraburgosurve që janë në pritje të një vendimi fajësie

Ministri i Drejtësisë, Besfor Lamallari deklaroi se propozimet për paraburgimin, vjen për shkak se ka një numër shumë të lartë njerëzish, të cilët ndodhen të paraburgosur dhe ende presin një vendim fajësie.\

Lamallari tha se raporti për sistemin penitencar, të cilën e mori teksa filloi detyrën si ministër, ishte shokuese.

“Unë do thoja, nuk është asnjëherë vonë për të bërë gjënë e duhur, gjënë e drejtë. Raporti i parë që kam marrë në tryezë, në javën e parë që mora detyrën, lidhet me gjendjen e sistemit penitencar, ishte shokuese, e papranueshme të shikoja sesi një numër të lartë të paraburgosurisht ndodheshin në burgjet e vendit. Aq më tepër, duke parë që shumë prej tyre, ishin për një kohë të gjatë, krahasuar edhe me veprat përkatëse, që dyshoheshin që kanë kryer, një i paraburgosur është person potencialisht i pafajshëm, nuk duhet të mbetet prezumimi i pafajësisë vetëm në kushtetutë. Në jetën e përditshme, kur u referohemi personave të caktuar, apo  të paraburgosurve, i referohemi sikur flasim për prezumimin e fajësisë. Unë besoj se është reminishencë e së shkuarës. Ne duhet të jemi po aq të ndjeshëm, në kuptim të mbrojtjes, të garantimit të të drejtave të çdokujt, aq më shumë kur flitet për një shumatore kaq të madhe të personave që ndodhen në sistemet e burgjeve, që janë për një kohë të gjatë dhe ende në pritje të një vendimi fajësie.", theksoi ai.

Ora 12:34
Lamallari flet pas arratisjes së Ndocit: Nuk njoftuan Burgjet për vizitën, prandaj u shkarkua drejtori i Burgut të Durrësit (VIDEO)

Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari në një konferencë për mediat komentoi arratisjen e Altin Ndocit, për të cilin ende nuk ka asnjë gjurmë. Lamallari tha se masat ishin të menjëhershme, me shkarkimin e drejtorit të Burgut dhe gjithë zinxhirit komandues. Lamallari tha se i ka kërkuar Shërbimit të Kontrollit të Burgjeve, rritje të hetimeve proaktive në të gjithë burgjet për të shmangur situata të ngjashme

“Reagimi i ministrit ishte i shpejtë, duke nisur nga pezullimi i zinxhirti përgjegjës dhe duke i vënë në dispozicion të hetimit penal, u shkarkuar drejtori i burgut, por duke bërë me këtë rast edhe transferimin të dënuarve në burgje më siguri më të lartë. Krahas këtyre masave, i kam kërkuar Shërbimit të Kontrollit të Burgjeve, rritje të hetimeve proaktive në të gjithë burgjet për të shmangur situata të ngjashme, apo edhe evidentimin e paligjshmërive që kanë të bëjnë me futjen e sendeve të paligjshme. Kjo kërkon masa më të gjëra se një rast konkret.

Këto vizita nuk ishin njoftuar as në drejtorinë e burgjeve, kjo ka qenë arsyeja pse kam marrë vendimin për shkarkimin e drejtorit i kam kërkuar Shërbimit të Kontrollit të Burgjeve të jenë të pranishëm në çdo IEVP, për të garantuar evidentimin e këtyre situatave, është raport që po përgatitet. Ka informacione ditore që përcillen nga Shërbimi i Kontrollit të Burgjeve”, tha Lamallari.

Ora 12:32
Propozimi për paraburgimin, Lamallari: Të mos vendoset për veprat e lehta, deri në 2 vjet për të rëndat, duhet parë sipas rasteve

 

I pyetur nga gazetarja e Report TV, Keti Banushi lidhur me takimin e së enjtes të ekspertëve për masat e sigurisë dhe propozimet që do të bëjë Ministria e Drejtësisë, Lamallari tha se ka pasur rekomandime për pragun e veprave të caktuara. Veprat e lehta dhe me parrezikshmëri shoqërore që mund të dënohen deri në 3 vite, propozohen të mos ndiqen në kushte paraburgimi, në bazë të rastit.

Për veprat e mesme që kanë rrezikshmëri jo të theksuar, por duan vëmendje, propozohet rreth 1 vit paraburgim dhe për të rëndat 2 vite.

“Tryeza e djeshme ishte një mundësi e shkëqyer për të bërë bashkë të gjithë aktorët në vend. Një diskutim shumë informues dhe konstruktiv nga prezantimet që u bënë dhe janë përgatitur rekomandimet, ku me të drejtë thuhet që ka ardhur koha që Shqipëria të përfaqësojë plotësisht standardet e kërkuara nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, po ashtu të zbatueshme në nivel të vendeve anëtare të Këshillit të Europës, atyre që ne duham t’u përafrohemi ku erdhën me masa konkrete për pragun që duhet të zbatohet për masa të caktuara duke i ndarë në vepra të lehta e të rënda pasi nuk ka kuptim që veprat e lehta të ndiqen në kushte paraburgimi, janë kosto humane, financiare, njerëzore dhe nuk përbëjnë kurrfarë rreziku që mund të citohet a priori në vendimet e gjykatave për të njohur këtë kërkesë të prokurorisë për veprat e lehta dhe me parrezikshmëri shoqërore. Ata vijnë me propozim që për veprat e dënueshme deri në 3 vite mos ta vendosin, duke e parë rast pas rasti dhe kjo kërkon një analizë të theksuar se cilat janë veprat që mund të dënohen deri në 3 vite, por nga natyra mund të përjashtohen nga ky rishikim dhe prekën me të drejtë, kufijtë deri ku mund të aplikohet masa e paraburgimit për një person, si për 1 vit për veprat e mesme, një rrezikshmëri jo e theksuar, por që kërkon vëmendje, apo deri në 2 vite për veprat e rënda. Kjo nënkupton një përgjegjësi të shtuar për organet e drejtësisë që të kryejnë veprime hetimore në kohën më të shpejtë të mundshme pasi drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”,  tha Lamallari.

Ora 12:30
'Dekriminalizimi i shpifjes, jo direktivë nga BE', Lamallari: Nuk ndikon në rrugëtimin tonë europian

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari deklaroi se është diskutuar me KE, lidhur me dekriminalizimin e shpifjes, por kjo nuk ka qenë direktivë e vetë BE.

“Sigurisht, ne kemi komunikuar që në mbyllje të procesit screening, me Komisionin Europian, e vërteta është që kjo nuk ka të bëjë me direktiva të BE. Shumica dërrmuese të vendeve të BE nuk e kanë të dekriminalizuar shpifjen. Shumë pak vende e kanë dekriminalizuar. Ne jemi të përkushtuar për të çuar më tej reforma të tilla, që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës. Të mos i bëjmë gjërat të nxituar. Ky duhet të jetë veprim i matur, ky është hap pozitiv. Kjo nuk e ndikon rrugëtimin tonë në integrimin europian, për këtë kemi diskutuar me Komisionin Europian. Do të ishte më e drejtë që të kishim gazetarët në mbrojtje të veçantë nga ligji penal, duke përfshirë edhe kolegët tuaj jashtë vendeve duke mos u kufizuar vetëm në Shqipëri, pra për kolegë që ushtrojnë profesionin e gazetarit në një vend të BE", theksoi ai.

Ora 12:18
Lamallari: Sistem më cilësor për burgjet, trajtim dinjitoz e human dhe siguri për të paraburgosurit e të dënuarit! Fokus te digjitalizimi

Në konferecën për shtyp, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari e vuri theksin te drejtësia transparente, objektive dhe llogaridhënëse. Ndërsa prezantoi disa prej nismave të Ministrisë, Lamallari tha se do të ketë në fokus të veçantë te trajtimi dinjitoz dhe human i të paraburgosurve dhe të dënuarve dhe siguria. Gjithashtu një sfidë tjetër është digjitalizimi për ta vendosur praktikën ligjore në sisteme të gjurmueshme.

“Duhet t’i mëshojmë më fort një sistemi më cilësor të trajtimit të të paraburgosurve, të dënuarve dhe sigurisë në burgje. Do të kemi një event të përmasave kombëtare ku do të ftojmë të gjithë partnerët si agjencitë ligjzbatuese, edhe organe të drejtësisë, por me fokus edhe te mbështetja e partnerëve strategjikë ndërkombëtarë ku shumë prej çështjeve që janë me një rëndësi të veçantë për mua si nga aspekti që lidhen me sigurinë, si dhe me trajtimin dinjitoz e human të të paraburgosurve dhe të të dënuarve, shëndetit të tyre, duke përfshirë edhe rishikimin e bazës ligjore, patjetër janë një sfidë me të cilën unë kërkoj edhe mbështetjen e opinionit publik, por edhe të partnerëve tanë që nga komunikimet që kam pasur janë ofruar shumë të gatshëm për të ndihmuar. Digjitalizimi kërkon gjithnjë e më shumë që këto procese të kalojnë nga puna në letër në sisteme të aksesueshme në mënyrë që çdo gjë të jetë e gjurmueshme dhe e shkëmbyeshme në funksion të punës së përditshme”, tha Lamallari.

 

Ora 12:17
Rasti 'Balluku'/ Lamallari: Qëndrimi i mazhorancës është i qartë, GJKKO tejkaloi kompetencat (VIDEO)

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari tha se qëndrimi i mazhorancës është i qartë lidhur me rastin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

“Besoj që qëndrimi i mazhorancës ka qenë i qartë. Siç ju jeni të njohur, kryeministri ka ushtruar të drejtën e tij për të vënë në lëvizje Gjykatën kushtetuese, argumentet janë të paraqitura aty. Ku në thelb qëndron pretendimi i një pushteti, pra pushtetit ekzekutiv, për tejkalim të pushtetit, nga pushteti gjyqësor Këtu kemi të bëjmë edhe me pushtetin legjislativ, që konfirmon mandatin e ministrave, përfshirë. Kushtetuta përcakton qartë se ministrat gëzojnë imunitetin e deputetëve”, theksoi ai.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • toma: 30/01/2026 14:56

    Po Sali Berishen dhe zagaret e tij qe kehin çdo dite, kur do i fusni ne burg? Meqe po lironi vende. Apo keni frike nga molotovet perballe keshtjelles?

    Përgjigju
  • koli: 30/01/2026 12:47

    Po lirojne vendet ne burgje per ata qe parkojne dysh makinat.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 28 Janar, 09:18

    Burg deri në një vit për parkim dysh, si e vlerësoni?