Amnistia, qeveria miraton faljen e
detyrimeve ndaj Tatimeve e Doganës

Amnistia, qeveria miraton faljen e<br />detyrimeve ndaj Tatimeve e Doganës
Qeveria miratoi dje projektligjin për faljen fiskale, i cili po dje është depozituar në Kuvend për të nisur shpejt procesin e diskutimit.

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, në një deklaratë për median, tha se në total janë 91 miliardë lekë që do të falen nga shteti për detyrime të papaguara, të cilat kanë lindur në gjashtë vitet e fundit.

Projektligji parashikon pagesën dhe fshirjen e detyrimeve tatimore të papaguara, të detyrimeve të pagueshme në doganë si dhe procedurën e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes së detyrimeve tatimore të papaguara. 

Nga fshirja e detyrimeve nuk do të përfitojnë subjektet që kanë detyrime tatimore apo doganore, të cilët janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale.
 
Fshirja
Sipas p/ligjit, do të fshihen 100% detyrimet tatimore të papaguara që i përkasin periudhave tatimore dhjetor 2010 e më parë dhe që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e subjektit, përveç kontributit të sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Po kështu, zerohen taksat e papaguara vendore të periudhës dhjetor 2010 e më parë. 
Subjektet përfitojnë edhe fshirjen e gjobatve dhe kamatëvonesave për sigurimet shoqërore e shëndetësore nga dhjetori 2010 e më parë. 

Zerohen gjithashtu disa detyrime tatimore, pavarësisht periudhës tatimore së cilës i përkasin. Kështu, këtu përfshihen detyrimet tatimore, përfshirë tatimin/kontributin/taksën/tarifën, kamatëvonesën dhe gjobat për persona fizikë ose juridikë të çregjistruar në QKB me vendim gjykate apo të çregjistruar në Tatimet deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Gjithashtu hiqen gjobat tatimore të llogaritura automatikisht nga sistemi për deklarim të vonuar deri më 31.12.2016, përfshirë edhe dënimet për afatin e deklarimit të të punësuarve; gjobat për dorëzim të vonuar të vendimit për destinimin e rezultatit dhe dorëzim me vonesë të pasqyrave financiare të aplikuara, të llogaritura deri në datën 31.12.2016; gjobat për mosdeklarim në afat, për deklarata të padorëzuara, me kusht që çdo deklaratë e padorëzuar të dorëzohet deri në datën 30.6.2017.
Po kështu, hiqen gjobat që ishin vënë më parë, por që eliminohen si rezultat i shfuqizimit nga Gjykata Kushtetuese.

Nga ana tjetër, u fallen detyrimet, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe të detyrimeve të vetdeklaruara e të papaguara, shoqërive që operojnë në sektorin elektro-energjitik dhe janë 100% me kapital shtetëror, që i përkasin periudhave tatimore nga 1.1.2011 deri 31.12 2013. Për detyrimet e tyre shoqërive, për periudhën janar - dhjetor 2014, fshihen gjobat dhe kamatëvonesat që rezultojnë të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, me kushtin që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e tij të paguhet i plotë detyrimi. E njejta klauzolë përdoret edhe për Ujësjellësit.
 
Fshirja me kusht
Falja përfshin edhe fshirje të pjesshme të detyrimeve, që ka të bëjë me gjoba dhe kamatëvonesa të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, me kushtin që brenda 6 muajve të paguhet i plotë detyrimi (tatimi, taksë, tarifë, kontribut).

Kjo ka të bëjë me detyrimet tatimore, që u përkasin periudhave janar 2011 - dhjetor 2014; kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe taksave e tarifave vendore të papaguara, që u përkasin periudhave janar 2011 - dhjetor 2014. 
Kjo lloj faljeje zbatohet edhe në rastin kur detyrimi është paguar përpara hyrjes në fuqi të ligjit.
 
Doganat 
Fshirja 100% e detyrimeve të pagueshme në doganë prek detyrime të papaguara ndaj administratës doganore dhe të evidentuara nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate deri në datën 31 dhjetor 2010. 

Po kështu, detyrimet e papaguara lidhur me produktet e duhanit, por këtu shtyhet periudha deri në datën 31 dhjetor 2016.
Fshihen nga regjistrat detyrimet e pagueshme në doganë për TVSH-në e shtyrë dhe të papaguar për makineritë e pajisjet, importimi i të cilave është përjashtuar nga tatimi mbi vlerën e shtuar, deri në datë 31.12.2016. 

Ndërkohë, eliminohen detyrimet e pagueshme në doganë, të evidentuara nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate nga data 1 janar 2011 deri më 31 dhjetor 2014, me kusht që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të paguhet i plotë detyrimi i pagueshëm në doganë, pa përfshirë gjobat, kamatëvonesat dhe interesat kompensuese. 

Po kështu, fshihen detyrimet e pagueshme në doganë, të evidentuara për shkelje të regjimit të lejimit të përkohshëm për automjetet nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate nga data 1 janar 2011 deri më 31 dhjetor 2016, me kusht që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të paguhet i plotë detyrimi, pa përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat. 
 
Ankimimi 
Kur subjekti është në proces ankimimi administrativ ose gjyqësor për detyrimet tatimore apo doganore, ai i nënshtrohet këtij ligji nëse heq dorë nga ankimi administrativ ose nga e drejta e padisë/ankimit/rekursit në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit pranë gjykatës administrative kompetente. Në këtë rast, Tatimet apo Dogana ndërpresin procedurat e mbledhjes me forcë të detyrimeve.


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS