Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arrestuar dy punonjës policie të Komisariatit Nr. 4 në Tiranë, pasi dyshohen se i kanë marrë ryshfet një qytetari një shumë prej 20.000 lekësh, në këmbim të mos i vendosnin gjobë për një shkelje rrugore.
Mbi Aurel Sallakun dhe Xhorxh Frrokaj rëndojnë dyshimet për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të kryera në bashkëpunim. Sipas AMP-së, hetimi nisi pas kallëzimit të një qytetari.
20 dhe 23-vjeçari në gradën inspektor në Patrullën e Përgjithshme të këtij komisariati u arrestuan në kuadër të hetimeve të drejtuara nga Prokuroria e Tiranës.
Ndërkohë hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë






Komente
Komento