Rreth 2000 persona janë mbledhur në sheshin kryesor të Amstërdamit për të protestuar në një luftë masive me domatet e fermerëve Hollandezë, të cilët po ndikohen nga bojkoti i produkteve agrikulturore që Bashkimi Europian ka vendosur kundër Rusisë.

Të rinjtë Hollandezë janë inspiruar nga festivali i famshëm Spanjoll “La Tomatina” që zhvillohet në Bunol dhe u organizuan për të realizuar versionin e Amstërdamit të luftës me domate. E gjithë kjo me qëllim për të tërhequr vëmendjen e publikut për situatën e fermerëve Hollandez të domateve të ndikuar nga sanksionet Ruse.

Në luftimin që zgjati për një orë pjesmarrësit përdorën 10,000 kilogram domate. Sipas njërit prej organizatorëve, Joep Verbunt, për të shmangur shpërdorimin total të këtij fruti, mbetjet e domateve do të përdoren si një burim për të prodhuar biogazin.

Ai tha se përveç kësaj, për të ndihmuar fermerët me problemin e madh të mbetjes së prodhimit stok për shkak të bojkotit të tregëtisë me Rusinë, të gjithë pjesmarrësit kanë paguar nga 15 euro që do të shkojnë për të lehtësuar problemin e tyre.

Hollanda është një nga prodhuesit dhe eksportuesit më të mëdhenj agrikulturor të botës për domatet, patate dhe kastravecët. 

Redaksia Online
(Suada B. / Shqiptarja.com)