GREQI - Ministri i jashtëm grek Avramopulos ka anuluar në momentin e fundit vizitën e tij në Shqipëri, ku ishte i ftuar të merrte pjesë më kremtimet e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Sipas disa blogjeve informative, të cilat i referohen një reportazhi të Panajot Barkës, korrespondent në disa media greke, arsyeja e anulimit të vizitës së ministrit grek janë disa deklarata të kryeministrit Sali Berisha,i cili nga Vlora ka folur për: “pavarësinë e Shqipërisë etnike, të të gjitha trojeve shqiptare nga Tivari deri në Prevezë, nga Shkupi deri në Podgoricë”.

Në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme thuhet se: “Deklarata të tilla nuk kontribuojnë në krijimin e klimës së miqësisë, besimit dhe fqinjësisë së mirë, ndërmjet dy vendeve dhe në zhvillimin e iniciativave të përbashkëta në fushat e interesit të përbashkët, politik, ekonomik e energjetik”!

Thuhet se Avramopulos do të kontaktojë edhe me kryeministrin Samaras për të koordinuar veprimet e mëtejshme të ministrisë së jashtme greke.
Gjithsesi anulimi i vizitës së Avramopulos në Shqipëri është kaluar në heshtje nga mediat kryesore greke, me përjashtime të rralla, kryesisht të mediave sociale, si edhe disa blogjeve informative jo me shumë peshë në informimin e përgjithshëm.

Analistë të njohur grekë të politikës së jashtme, konsiderojnë se deklarata të tilla, si ajo e Berishës, janë të kuptueshme të bëhen, sidomos në klimën e përgjithshme të nacionalizmit, si edhe të atmosferës festive e cila është gjatë kësaj periudhe në Shqipëri.

Për analistët grekë, deklaratat e Berishës, ndoshta janë preteksti i anulimit të vizitës. Arsyeja kryesore duhet kërkuar në faktin se sot është zhvilluar mbledhja e parë e Këshillit të Ministrave të Greqisë, pas çeljes së dritës jeshile nga ana e Eurogrupit për lëvrimin e këstit të radhës prej 44.4 miliardë eurosh për Greqinë.

Ndërkohë pritet që sot, ose e shumta nesër Kryeministri Samaras të kryejë ndryshime radikale në qeveri, duke i dhënë qeverisë së re një pamje tjetër, me afat kohor katërvjeçar, duke larguar nga qeveria shumë ministra apo zëvendësministra, të cilët nuk kanë qenë në union me vijën e përgjithshme të qeverisë në lidhje me masat e mara shtrënguese për marrjen e dozës së radhës.

Nuk pritet ndryshim në postin e Ministrisë së Jashtme, por gjithsesi, Avramopulos është nga funksionarët e Demokracisë së Re, që konsiderohet si numri dy në këtë parti dhe mendimi i tij do të ketë peshën specifike për ndryshimet e pritshme.

(eç/shqiptarja.com)