TIRANË - Për analistët, 8 vjet në pushtet kanë pasur ndikimin e tyre në komsumimin politik të kryeministrit Berisha. Për Aleksandër Çipën, "hapja e fushatës zyrtare të demokratëve për 23 qershorin konfirmoi se Berishës i mungojnë projektet elektorale". Ndërsa për Arjan Vasjarin, "firot në radhët e demokratëve justifikohen me këmbënguljen për një mandat të tretë".

“Fushata e një force politike kërkon, që logjikën e rotacionit ta dominojmë me logjikën e nevojës së mbetjes në pushtet, me mitingun hapës të fushatës për zgjedhjet e 23 qershorit. Partia Demokratike ishte mobilizuar për të sjellë në mitingun e vet një përfaqësi jo vetëm nga elektorati kryeqytetas, por nga e gjithë hapësira e shpërndarjes administrative të nëpunësisë, e cila pse jo, ndodhet në rrethanat e fatit ekzistencial të ruajtjes së vendit ose jo.”- thotë Çipa.

Ndërsa Vasjari nga ana e tij komenton:  “Këtë herë ka më pak entuziazëm, e kjo mund t’i vishet shumë faktorëve, e këtu të mos harrojmë, që Partia Demokratike ka qeverisur që prej vitit 2005. Pra jemi në fund të mandatit, që do të thotë se PD ka firot e saj elektorale”.

Ajo që Vasjari nënvizon është një përpjekje, ndoshta edhe e përligjur e Partisë Demokratike, që të pretendojë prej shoqërisë, prej publikut, që të marrë në konsideratë dy mandate. Pra është një përpjekje për të mos i ndarë mandatet; mandatin e parë dhe të dytë.

“Performanca ekonomike e qeverisë së Partisë Demokratike është një performancë tashmë e pranuar edhe nga zoti Berisha edhe nga të tjerë të PD-së për shkak të një krize globale, të impakteve të saj në ekonominë shqiptare”, deklaron Vasjari.

LISTAT S'U HARTUAN NE BAZE TE MERITOKRACISE
Mungesa e ish-kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali në çeljen e fushatës se PD dhe përfshirjen e kandidatëve gati-gati të panjohur në bazë të preferencës së krryeministrit Berisha e ka përcjellë qartë mesazhin, që listat nuk janë hartuar në bazë të meritokracisë.

“Mungesa e zotit Rusmali bie në sy për faktin se ai ka qenë njeriu më patetik i kauzave të mbrojtjes juridike të PD-së dhe në përgjithësi i të djathtës në qeverisjen e dy mandateve rresht. Nga ana tjetër ka qenë një interpret me një valencë të lartë polemizimi në përballje me rivalët apo qoftë homologëve të tij të së majtës”, ka komentuar për A1 Report, Aleksandër Çipa, duke shtuar se “përsa i përket përfshirjes në këtë listë të përfaqësuesve të rinj, të cilët nuk kanë një back-ground politik dhe aq më tepër një investim në jetën e tyre politike kjo është një çështje, që ka shembur përfundimisht kriteret e meritokracisë”.

Vasjarin, mungesa e zotit Rusmaili e anëtarëve të Komisionit të Ligjeve e bën të mendojë se “këto subjekte, këto individë kanë qenë pjesë e një black liste (liste të zezë) të PD-së”.

“Jam i prirur të besoj, që shkaku i vetëm ka qenë përplasja apo të themi dalja nga shinat, nga binarët e rregullit të Partisë Demokratike në çështjen e goditjes apo refuzimit për të korrektuar ligjin e shërbimit informative”.

Ndërkohë, Vasjari ka bashkangjitur “një numër shumë të madh individësh të koptuar, të rekrutuar në këto lista, të cilët nuk kanë asnjë domethënie intelektuale. Ai ka propozuar që "me një dozë të arsyeshme sinqeriteti, them që t’ju japim shansin t’i provojmë".

Sipas analistëve, për të gjithë forcat politike ka ardhur koha, që të jenë racionalë ndaj shifrave, që raportojnë për numrin e pjesëmarrësve në mitingje, pasi mund të prodhojë efekte të kundërta.

Redaksia Online
(ma/shqiptarja.com)