“Pavarësisht se çfarë supozohet të përfaqësojë Dita e Fitores së Rusisë, nuk do të jetë asnjë lloj fitoreje ndaj Ukrainës ndonëse Vladimir Putin dhe Kremlini po përpiqen ta bëjnë atë”. Kështu shkruan analisti Michael Clarke për BBC duke shtuar se Rusia nuk mund të fitojë luftën.
Sukseset ushtarake të Putinit pas vitit 2008 u arritën duke përdorur njësi të vogla të forcave elitare, mercenarëve dhe grupeve të milicisë lokale së bashku me fuqinë ajrore ruse. Kjo bëri që Moska të mos kishte kosto gjatë ndërhyrjeve në Gjeorgji, Nagorno-Karabakh, Siri, Libi, Mali dhe dy herë në Ukrainë gjatë vitit 2014, fillimisht në aneksimin e paligjshëm të Krimesë dhe më pas në krijimin e rajoneve të vetëshpallura ruse në Luhansk dhe Donetsk.
Në çdo rast, Rusia lëvizi me shpejtësi dhe pa mëshirë me mënyra që bota perëndimore nuk mund t’i kundërshtonte përveçse nëpërmjet sanksioneve, por asgjë nuk mund të ndryshonte realitetin. Putin ishte i aftë që të hynte në terren. Në shkurt provoi të njëjtën gjë me Ukrainën për të rrëmbyer pushtetin brenda rreth 72 orëve të një vendi me 45 milionë banorë që zë zonën e dytë më të madhe të tokës në Evropë. Ishte një lojë befasuese dhe e pamatur që dështoi plotësisht në javën e parë.
Tani ka pak mundësi, por vazhdon me përpjekjet për ta bërë këtë luftën më të madhe në Ukrainë. Përshkallëzimi ka ndikuar edhe në situatën aktuale dhe Evropa ka arritur një moment shumë të rrezikshëm në historinë e saj të fundit. Pasi dështoi me planin A për të kapur qeverinë në Kiev përpara se forcat e presidentit ukrainas Zelensky ose bota e jashtme të reagonte, Moska kaloi në planin B. Kjo ishte një qasje ushtarake për të rrethuar Kievin dhe për të pushtuar qytete të tjera si Chernihiv, Sumy, Kharkiv, Donetsk, Mariupol dhe Mykolaiv dhe thjesht synonin të shuante forcat e armatosura ukrainase ndërsa Kievin e kërcënonte me shkatërrim.
Edhe kjo përpjekje dështoi. Kherson ishte i vetmi qytet i madh që ra nën kontrollin rus dhe që atëherë ka vazhduar t'i rezistojë administratës ruse. Fakti është se forcat ruse ishin shumë të vogla për të dominuar një vend kaq të madh; ata performuan shumë dobët; ata u udhëhoqën keq dhe u shpërndanë në katër fronte të veçanta, nga Kievi në Mykolaiv, pa një komandant që t’i drejtonte.
E zhgënjyer, Rusia tani ka kaluar në "planin C", duke hequr dorë nga Kievi dhe veriu, e të përqendrojë të gjitha forcat e saj për një ofensivë të madhe në rajonin e Donbasit dhe në të gjithë jugun e Ukrainës. Forcat ruse po përpiqen të rrethojnë Operacionin e Forcave të Përbashkëta të Ukrainës, (JFO) - rreth 40% e ushtrisë së saj që po qëndron përballë separatistëve në Luhansk dhe Donetsk që nga viti 2014. Objektivat kryesore ruse janë të marrin Slovyanskun dhe, pak më tej në jug, Kramatorskun. Ato janë të dyja pika strategjike vendimtare për kontrollin e të gjithë rajonit të Donbasit.
Lufta ka kaluar në një fazë tjetër ushtarake, përdoren tanke dhe artileri për të shkatërruar mbrojtjen e kundërshtarit përpara se të futen brenda. Por procesi nuk është aq i thjeshtë. Ofensiva e Rusisë nisi me tronditje dhe (JFO) e kanë mbajtur ofensivën ruse shumë larg linjave që komandantët rusë do të prisnin të arrinin deri tani. Ukrainasit i kanë blerë vetes pak kohë të vlefshme. Secila palë përpiqet të sjellë pajisjet e saj të rënda luftarake përpara se beteja të jetë ballë-përballë. Këtë mund të shohim gjatë 2 javëve të ardhshme.
Ajo që ndodh në Donbas, megjithatë, i ofron Putinit vetëm një zgjedhje midis llojeve të ndryshme të disfatës. Nëse beteja arrin një ngërç, ai do të ketë pak gjëra të çmuara dhe shumë humbje e dhimbje. Nëse vrulli ushtarak ndryshon dhe forcat e tij tërhiqen, do të ketë akoma më shumë humbje. Por edhe nëse rusët arrijnë të pushtojnë të gjithë Donbasin dhe gjithë jugun, ata do t’i mbajnë territoret për një kohë të pacaktuar përballë disa milionë ukrainasve që nuk i duan ata atje./Përshtati në shqip nga BBC, Shqiptarja.com