Anëtarësimet në PS, Rama: Flas
si "katundar" i Surrelit dhe Dajtit

Anëtarësimet në PS, Rama: Flas<br />si
Në ceremoninë e anëtarësimeve të reja në Partinë Socialiste të Tiranës, kryetari i PS dhe njëherazi kryeministri Edi Rama, e nisi fjalën e tij me një kërkim ndjese për vonesën në këtë aktivitet, por nuk munguan as batutat me ish kryeministrin Pandeli Majko dhe ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Rama e justifikoi vonesën disa minutëshe, për shkak të respektimit të rregullave të qarkullimit. "Nuk ishte vonesë nga ato të udhëheqësve të kohëve të vjetra, por për shkaqe objektive. Duke qenë se unë respektoj edhe këto rregullat e qarkullimit, shkova deri te Dogana për të ardhur te Pallati i Sportit", tha Rama.
 
Teksa mori fjalën i treti, pas Tahirit dhe Majkos, Rama u shpreh se dy të parët flasin si të qendrës së Tiranës, ndërsa ai vetë flet në emër të katundarëve të Surrelit e Dajtit.
 
"Këtu folën shumë kapitenë, dhe trajneri historik. Këta janë nga qendra e Tiranës, por unë flas në emër të katundarëve të Surrelit, Dajtit dhe të gjithë ish komunave që tani janë pjesë e bashkisë dhe kanë të drejtën që të jenë jo vetëm nga pikëpamja fizike pjesë e bashkisë, por edhe shpirtërore e të jenë të përfaqësuar. Këta të qendrës që na mbajtën larg gjithë këto vite, tani s'kanë cctë bëjnë e do bashkëjetojnë me idenë që kryetarin e ka katundi. Dua që t'i shpreh përzemërsisht mirëseardhjen djemve e vajzave, shpresoj që të mos jenë të gjithë të reja, se mua e Pandit do na duket sikur jemi këtu për të lënë amanetet", tha kryeministri.
 
Rama theksoi se zgjerimi i PS është treguesi më i mirë se qeverisja e vendit është në drejtimin e duhur, për të hedhur bazat e një shteti normal që funksionon në të gjithë Shqipërinë.

"Nuk ka asnjë test më inkurajues për mua dhe për ne. Nuk ka asnjë provë më bindëse dhe nuk ka asnjë kompliment më të madh që mund të na bëhet se ccfarë kemi bërë në këto 2 vite e gjysmë, sesa e gjithë kjo valë e re prurjesh që e kanë rritur PS-në, jo vetëm në numër, por edhe në cilësi në këtë proces fantastik hapje, zgjerimi e fuqizimi. Është testi, prova e komplimenti që vlen më shumë se të gjitha bataretë e logoretë e marra së bashku në këto 2 vjet e gjysmë për të minimizuar, relativizuar e cënuar të githë përpjekjen tonë me mish e me shpirt për t'i dhënë Shqipërisë një drejtim tjetër e për të hedhur bazat e një shteti normal që funksionon në të gjithë Shqipërinë", tha ai. 



Fjala e Kryeministrit e njëkohësisht Kryetarit të PS Edi Rama në takimin për anëtarësimet e reja në Tiranë

Tahiri: Nga Tirana në Ndroq, jemi 20 mijë anëtarë të PS
Kryetari i degës së Partisë Socialiste për Tiranën dhe njëherazi ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u shpreh gjatë shpërndarjes së kartave të reja të anëtarësisë, se Partia Socialiste e Tiranës numëron tashmë 20 mijë anëtarë. "Ne sot në Tiranë, bëhemi diçka afër 20 mijë anëtarë, nga Ndroqi në Tiranë, por kaq nuk mjafton për fuqinë që duhet të kenë reformat. Trokisni dhe bisedoni me këdo që të bëhemi bashkë për Shqipërinë që duam", u shpreh Tahiri.
 
Ai theksoi se reformat e qeverisë "Rama" po bëjnë shtet dhe për këtë duhen të informohen të gjithë shqiptarët. "Duhet tu shpjegojmë shqiptarëve reformat e qeverisë, se çfarë bëjmë. duhet tu shpjegojmë për energjinë elektrike se duhet ta paguajnë atë, se paguam një borxh të padrejtë. Kjo është të bësh shtet. ti tregosh kujtdo se ligji është i barabartë për të gjithë. Kemi filluar dhe po bëjmë shtet. Po bëjmë atë që s'është bërë në 25 vitet e shkuara. Duhet të mblidhemi sa më shumë fuqi për të mbështetur reformat", tha ai.
 
Tahiri e cilësoi historike edhe reformën në sistemin e drejtësisë. Sipas tij, në Shqipëri drejtësia do të jepet sipas ligjit dhe jo sipas xhepit. "Kemi edhe një mision historik, ku pavarësisht opozitës në parlament, dhe kjo është reforma në drejtësi. Ne duhet ta bëjmë këtë vend shumë të drejtë ku i pasuri dhe i varfëri të mos kenë të drejta sipas xhepit, por sipas ligjit. Ku drejtësia të mos bëjë pazar me ligjin në kurriz të qytetarëve. Ju që jeni anëtarë të rinj të PS, hajdeni të bisedojmë dhe t'i takojmë të gjithë bashkë ata që duan të ketë drejtësi në Shqipëri. Të bëhemi bashkë për një mision super të shenjtë që është reforma në drejtësi", theksoi Tahiri.


 
Pandeli Majko: PS e zhurmshme, por në fund jemi të gjithë bashkë
"PS mbetet spektakli më i madh i demokracisë në Shqipëri, ku debatohet, kundërshtohet, ngrihet zëri, por në fund të gjithë jemi bashkë, sepse ju jeni bashkë". Kështu e komentoi situatën brenda PS, deputeti socialist, Pandeli Majko, gjatë ceremonisë së anëtarësimeve të reja në PS.
 
Sipas tij, PS do të zgjerohet edhe më shumë sepse është një forcë politike që nuk mendon vetëm për veten. "Sot, në këtë ditë ku dhjetëra të rinj e të reja, anëtarësohen në PS, dëshiroj jo si trajner, por si një nga anëtarët e PS, tu uroj atyre mirëseardhjen në familjen tonë të madhe, të zhurmshme, por është e zhurmshme se është e madhe dhe nuk mendon veç për veten e vet, por edhe për të tjerët. E ardhja jonë është e bashkëlidhur edhe me ata që nuk na votojnë, kjo është arsyeja që ne jemi të tillë, të veçantë",  tha Majko.  

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Brentford rekord unik, shënon në tre ndeshje radhazi brenda minutës së parë

Brentford rekord unik, shënon në tre ndeshje radhazi brenda minutës së parë