Anëtarësimi në BE Fleckenstein
"Negociatat do t'i hapni vitin tjetër"

Anëtarësimi në BE Fleckenstein<br />
TIRANE- Hapja e negociatave të anëtarësimit mes Shqipërisë dhe BE-së nuk ka asnjë sinjal se mund të ndodhë brenda këtij viti, siç ishte pritshmëria e mazhorancës. Raportuesi i Parlamentit Evropian për vendin tonë, Knut Fleckenstein, saktëson se është e drejtë dhe e ndershme që ky hap të hidhet vitin tjetër.

Në një prononcim për mediat shqiptare në Bruksel, socialdemokrati gjerman ka se nga ky progres-raport që pritet të publikohet, Shqipëria nuk duhet të presë shumë. “Unë do ju thoja mos prisni shumë. Kësaj radhe do të përmendet vetëm se ku ka patur progres, sigurisht, për 5 prioritetet kyçe ka patur progres, dhe se cilat janë hapat e radhës për t'u marrë, që ju i dini më mirë se Komisioni. Kështu që shpresoj se vitin tjetër do të mund të ecim para me hapin e mëtejshëm,”- tha Fleckenstein. 

I pyetur nëse vitin tjetër mund të nisin negociatat për anëtarësim, raportuesi shpreh bindjen se kjo duhet të ndodhë. “Unë shpresoj vërtet kështu, që ato të nisin vitin e ardhshëm, dhe jam i bindur se do ishte e drejtë dhe e ndershme të veprohej kështu”,-tha Fleckenstein.

Megjithëkëtë, ende nuk ka një datë të saktë, se kur Këshilli i Ministrave të BE-së do të publikojë raportin e zgjerimit, pas disa shtyrjeve. Socialdemokrati gjerman Knut Fleckenstein, këshillon shqiptarët të vazhdojnë në rrugën e duhur, por dhe që të mos kenë pritshmëri të larta nga raporti i radhës.

"Unë nuk do doja të bëhej kjo, por nuk besoj se këto zëra janë të vërtetë. Nuk arrij ta besoj dot se Komisioneri përgjegjës për këtë paketë tani, nuk e prezanton dot pse nxiton për në një takim partiak të PPE-së në Madrid. Unë nuk mendoj se zgjerimi nuk është më kaq i rëndësishëm. Por, mesazhi im kryesor për Shqipërinë është "vazhdoni të ecni" sepse Shqipëria është në një rrugë mjaft të mirë. Edhe pse e dimë se ka ende shumë për t'u bërë, por, për shembull për reformën në drejtësi është bërë shumë punë dhe tani priten komentet e Komisionit të Venecias dhe më pas, ka shumë më tepër rëndësi madhore, që kjo reformë të marrë me shumicë të gjerë në parlamentin tuaj, të gjitha ndryshimet kushtetuese, sepse kjo reformë është baza për gjithçka tjetër, si dekriminalizimi, lufta ndaj korrupsionit e me radhë, ndaj mendoj se jemi tashmë në një fazë emocionuese", është shprehur Fleckenstein.

Ndërkohë, shtatë ndër 28 anëtarët e Kolegjit të Komisionerëve të BE-së do të jenë në Spanjë të mërkurën e ardhshme, më 21 tetor, ku, pas shtyrjes fillestare, pritej miratimi i paketës së zgjerimit në mbledhjen e radhës, menjëherë pas samitit evropian që do të ketë në fokus mbrojtjen e kufijve, refugjatët dhe Turqinë, një vend kandidat që përmendet më së shumti si preteksti kryesor për shtyrjen e mëtejshme të datës së publikimit.

As këtë javë, kryezëdhënësi i Komisionit Evropian nuk ishte në gjendje të jepte një datë të qartë për publikimin zyrtar të raporteve vjetore të progresit për vendet e përfshira në procesin e anëtarësimit me BE-në.  

Komisioni publikon raportet e zgjerimit rreth kësaj periudhe të vitit dhe i publikon ato në momentin kur sigurohet se, me miratimin dhe paraqitjen e tyre, merret vëmendja e plotë e medias dhe publikut, siç e meritojnë këto raporte. Kështu që presidenti do ta gjykojë këtë moment bazuar mbi këtë kriter dhe më pas, ju do të informoheni sipas rrethanave”, ka deklaruar Margaritis Schinas./Top-Channel/  


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 18Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Në kërkim për tentativë vrasje, 48 vjecari arrestohet teksa po tentonte të ikte nga Morina (EMRI)

Në kërkim për tentativë vrasje, 48 vjecari arrestohet teksa po tentonte të ikte nga Morina (EMRI)