Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha priti në një takim zyrtar tre homologët e tij nga Sllovakia, Çekia dhe Austria.

Zgjerimi i Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ecuria e Shqipërisë në procesin e Integrimit Evropian ishin në fokus të këtij takimi, ndërsa kryediplomati shqiptar theksoi se për vendin tonë prioritet mbetet hallka e radhës, kalimi i pikave të ndërmjetme IBAR.

“Anëtarësimi në BE mbetet prioriteti strategjik kryesor i Shqipërisë, i mbështetur fuqimisht nga një konsensus i gjerë kombëtar. Jemi plotësisht të angazhuar për të ruajtur këtë ritëm të fortë dhe presim përmbushjen e IBAR sa më shpejt në një periudhë të afërt, duke hapur rrugën për fazën e ardhshme të negociatave, atë të mbylljes së kapitujve, për të cilën kemi punuar në mënyrë intensive dhe jemi përgatitur paralelisht”, tha Hoxha.

Ndërsa dy ministrat e jashtëm të Çekisë dhe Austrisë theksuan përparimin që Shqipëria ka shënuar në procesin e integrimit evropian, duke kërkuar thellim të reformave, kryesisht në shtetin e së drejtës.

“Është shumë inkurajuese të shohësh që Shqipëria po shënon përparim real në procesin e integrimit me çeljen e të gjithë grupkapitujve, ,e gurët kilometrkë që e kanë vënë Shqipërinë në pararojë. Jemi besimplotë se keni kapacitetin dhe angazhimin për të ecur përpara”, tha ministri çek Petr Macinka.

“Ka një interes të madh për thellimin e bashkëpunimit ekonomik. Partneriteti ekonomik ka nevojë mbi të gjitha për besimin në institucione, në rregulla të drejta, besimi që reformat nuk janë vetëm në letër. Ju mbështesim plotësisht në rrugëtimin tuaj, prandaj kemi nevojë të vazhdoni me reformat ambicioze si shteti i së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit”, tha ministrja austriake Beate Meinl-Reisinger.

Ndërsa ministri i Jashtëm i Sllovakisë, bëri të qartë qëndrimin në emër të tre vendeve të formatit Slavkov, Çekisë, Austrisë dhe Sllovakisë, se nuk e mbështesin idenë e kryeministrit Rama për anëtarësimin pa veto.

“Slavkov 3 është mbështetëse e anëtarësimit me të drejta të plota. Ne kërkojmë që parimi I meritës të jetë kyç për anëtarësimin dhe nuk i mbështesim idetë për zgjidhje alternative dhe të pjesshme, jemi të bindur se konsensusi i të 27 vendeve anëtarë mund të mbështetet vetëm mbi anëtarësimin me të drejta të plota”, tha Juraj Blaná.

Diskutimet mes tre ministrave, siç theksoi kryediplomati Hoxha u  përqendruan gjithashtu në ndërlidhjet energjitike dhe korridoret e transportit, veçanërisht në dritën e zhvillimeve aktuale gjeopolitike, përfshirë situatën në Lindjen e Mesme.