Nga Tirana, Kaja Kallas iu bëri thirrje forcave politike të bashkëpunojnë për integrimin e vendit në BE. Në një konferencë për shtyp me kryeministrin Edi Rama, kryediplomatja e BE-së u pyet nëse një rotacion i mundshëm politik më 11 Maj mund të rrezikonte rrugën evropiane të Shqipërisë.
Kallas tha se qytetarët shqiptarë kanë treguar se e duan integrimin ndërsa i përcolli edhe një mesazh opozitës për bashkëpunim. Nga ana tjetër, kryeministri Rama u shpreh se BE nuk vendos se kush fiton apo humb zgjedhjet në Shqipëri, ndërsa shtoi se e vetmja forcë që mund të sigurojë integrimin është PS.
Kaja Kallas: Unë vij nga një vend që e ka kryer rrugëtimin e vet drejt BE dhe në këtë rrugëtim duhet bashkëpunimi i të gjitha palëve dhe për këtë duhet mbështetje për reformat e vështira. Të gjithë qytetarët e kanë dhënë përkrahjen e tyre për rrugëtimin e Shqipërisë, një mbështetje e gjerë. Për këtë duhen reforma të vështira që kërkojnë mbështetjen e të gjithëve në shoqëri.
Edi Rama: Para ca kohësh i bëtë një pyetje ambasadorit të BE dhe më pas disa pasqyra e morën përgjigjen dhe e kthyen sikur kishte thënë që deklaratat e mia nuk janë në përputhje me çfarë mendon BE. Nuk e di se ça prisni kur pyesni BE lidhur me çfarë ndodh këtu në aspektin elektoral. Përgjigjia është e e ditur botërisht se BE nuk vendos kush fiton dhe humbet zgjedhjet dhe as nuk lidh politikën e vet me kush zgjidhet në Shqipëri. Kjo është elementare, por nga ana tjetër ajo që unë them dhe përsëris është se nuk ka një forcë tjetër që e kryen dot këtë mision. Nuk e përcakton BE dhe nëse mendojnë s’kanë për ta thënë ndonjëherë. Pyetje pa lidhje, por e kuptoj se është për konsum. Jam i bindur se do të lexoj nëpër pasqyra se zëvendës presidentja e Komisionit tha që...Kjo puna juaj, jemi vend i lirë dhe demokratik. Më 11 maj do të thoni atë që thonë qytetarët.
Lajmi kryesor:
Kallas në Tiranë: Anëtarësimi realitet, s’ka rrugë të shkurtër veç reformave! Rama: Më 11 maj marrim rezultatin e duhur, mbyllim negociatat brenda 2027-ës

