Verifikimi i pastërtisë së figurës së anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë Bujar Sheshi, ka çuar për ekspertim grafik të gjithë dosjes që ndodhet në arkivën e sigurimit të shtetit.Dosja është tërhequr nga prokuroria e Tiranës dhe i është dërguar për ekspertim ekspertëve të laboratorit të ministrisë së Brendshme.

Lidhur me këtë çështje prokuroria e Tiranës ka marë në pyetje dhe anëtarin e KLP Bujar Sheshi i cili ka dhënë shpjegimet e tij për rastin. Në shkresën e AIDSSH të janarit 2019 thuhet se zoti Bujar Sheshi rezulton në dokumentet e ish-Sigurimit si bashkëpunëtor në kohën kur ka qenë nxënës në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” në Tiranë, por nuk disponohen dokumente për rolin e tij. Gjithashtu, i njëjti vendim nënvizon se Sheshi figuron në të njëjtat dokumente si anëtar me detyrë hetues në Hetuesinë e Degës së Punëve të Brendshme Fier.

Dokumenti i Autoritetit i publikuar në media shprehet se gjeneralitetet e bashkëpunëtorit të ish-sigurimit në kartelën Model 2, nr. 8023 janë “Bujar Rasim Shesha” i datëlindjes 1957, ndërkohë që gjeneralitetet e prokurorit janë Bujar Ramiz Sheshi, i datëlindjes 15.12.1957. Vendimi i Autoritetit është miratuar me shumicë votash.

Në favor të vendimit kanë votuar kryetarja Gentiana Sula dhe anëtarët Altin Hoxha dhe Simon Miraka. Qëndrim kundër vendimit të marrë ka pasur Marenglen Kasmi. Më herët, prokurori Bujar Sheshi mohoi të kishte qenë ndonjëherë bashkëpunëtor i fshehtë i ish-Sigurimit dhe akuzoi segmente të politikës, jo vetëm të njërit krah, për atë që ai e quajti sajesë dhe “skenar tipikisht mafioz”.