Angela Merkel në 8 korrik në Tiranë
takim vetëm me Ramën e Nishanin

Angela Merkel në 8 korrik në Tiranë<br />takim vetëm me Ramën e Nishanin
TIRANE - Angela Merkel do të jetë në 8 korrik kancelarja e parë gjermane që do të vizitojë zyrtarisht Shqipërinë. Ajo do të mbërrijë në Tiranë mesditën e së mërkurës dhe do të zhvillojë vetëm 3 aktivitete: takim me kryeministrin Rama, me presidentin Nishani dhe fjalë përshëndetëse në forumin ekonomik Shqipëri-Gjermani. Ajo nuk do të takojë kreun e Kuvendit, Ilir Meta, dhe atë të opozitës, Lulzim Basha. Kancelarja gjermane do të qëndrojë në vendin tonë vetëm 4 orë e 30 minuta, po intensive sa i përket axhendës dhe pikësynimeve të takimeve.

Axhenda
Kancelarja Merkel do të mbërrijë në aeroportin e Rinasit në orën 13:50 të datës 8 korrik. Aty do të pritet nga zëvendës kryeministri Niko Peleshi, dhe zëvendës ministrja e Jashtme, Odeta Barbullushi. Në orën 14:15 do të bëhet pritja zyrtare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përpara kryeministrisë. Më pas do të ketë një takim kokë më kokë mes kancelares Merkel dhe kryeniministrit Rama, për të vijuar me një takim mes delegacioneve dypalëshe. Rreth orës 15:30 të dy homologët do të kenë një konferencë të përbashkët shtypi, ku do të ceken tema të bashkëbisedimit si dhe përfundimet e takimeve dypalëshe.

Merkel e Rama do t’i përgjigjen interesit të gazetarëve për rreth 30 minuta. Më pas do të  vijohet me takimin mes Merkel dhe presidentit Nishani, e cila do të zhvillohet në presidencë. Pas përfundimit të këtij takimi, në orën 16:40 Merkel do të jetë së bashku me Ramën pjesë e konferencës ekonomike Shqipëri-Gjermani, që do të mbahet në Tirana Biznes Park, që ndodhet në afërsi të Rinasit.

Në këtë forum që marrin pjesë përfaqësuesit ekonomikë të dy vendeve, Rama dhe Merkel do të kenë fjalë përshëndetëse mes orës 17:00 deri në 18:00. Ky është aktiviteti i planifikuar si i fundit në këtë vizitë, dhe pas kësaj, Merkel do të drejtohet drejt Rinasit për të vijuar turin e saj të takimeve në Sarajevë e Beograd.

Takimet
Në këtë vizitë të shkurtër dhe intensive, Merkel do të takohet vetëm me dy drejtues të shtetit tonë, kryeministrin Rama dhe presidentin Nishani. Në këtë mënyrë kryeparlamentari Meta dhe kryebashkiaku në detyrë, Basha nuk do të kenë nderin të presin në zyrat e tyre zonjën e hekurt të Gjermanisë.

Burime nga kryeministria, bëjnë me dije se këto takime nuk janë shmangur për ndonjë arsye të veçantë, por vetëm për shkak të axhendës së kufizuar të kancelares gjermane. Ajo është e para kancelare gjermane që vjen zyrtarisht në Shqipëri. Kancelari Gerald Schneider, ka vizituar vendin tonë në vitin 1999, por jo në një pritje zyrtare qeveritare. Ai ka ardhur në vendin tonë për të takuar në verilindje të vendit ushtarët gjermanë që po luftonin në Kosovë bashkë me forcat e NATO-s.

Synimet
Pas konferencës së Berlinit, Merkel e ka përzgjedhur Ramën dhe Shqipërinë si koordinatorë të një procesi bashkëintegrues të Ballkanit. Kjo vizitë e Merkelit do të shërbejë për përgatitjen e Ramës e Merkelit për samitin e radhës mes Gjermanisë e Ballkanit që pritet të zhvillohet në Vjenë. Integrimi rajonal është në këtë mënyrë pika kryesore e synimeve të kësaj vizite. Po ashtu, nxitja e shkëmbimeve ekonomike do të jetë pjesë e bisedime,  pjesë e cila do të shterohet në forumin ekonomik. Greqia është donatorja e parë në sasi e Shqipërisë nga vendet e BE-së. Pjesë e bisedimeve do të jetë dhe pavarësia e Kosovës, në një kohë kur ndalesa e radhës e Merkelit është Beogradi.

Redaksia Online
(a.h/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Policia e Kosovës shpall në kërkim 3 shqiptarë, si bashkëpunëtorë në kultivimin dhe tregtinë e drogës (EMRAT)

Policia e Kosovës shpall në kërkim 3 shqiptarë, si bashkëpunëtorë në kultivimin dhe tregtinë e drogës (EMRAT)