ANGLI- Boksieri anglez Justyn Hugh u burgos me 11 vjet për trafik kokaine, ndërsa 5 anëtarët e tjerë të bandës së tij, ku mes tyre ishte edhe një shqiptar, janë dënuar me një total prej më shumë se 29 vjet burg.

Dënimet erdhën pasi të gjashtë personat u deklaruan fajtorë për trafik droge. Hugh u kap me 5 kg e gjysmë kokainë në zonën e Gwent, teksa droga kishte vlerë prej 500.000 eurosh, teksa gjithçka ndodhi midis nëntorit 2012 dhe korrikut 2013, sipas Gjykatës së Cardifit.

Përveç boksierit Hugh, 29 vjeç, banda ishte e përbërë edhe nga 5 persona të tjerë, ku mes tyre ishte edhe shqiptari Gëzim Uka, 26 vjeç, pa vendbanim fiks. Ai ishte udhëheqësi i grupit që kontaktonte njerëzit në Shqipëri dhe Holandë, teksa më pas kokaina trafikohej në Mbretërinë e Bashkuar. Detektivi kryeinspektor Jon Evans, i cili kryeson Njësinë e Krimit të Organizuar tha se “Ky ka qenë një hetim kompleks, pasi grupi trafikonte drogë të klasit A. Ata u arrestuan nga lakmia e tyre egoiste”.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)