Dueli mes Anglisë dhe Shqipërisë luhet edhe në shifra. Dy kombëtaret do përplasen në 'Wembley' të premten e 21 marsit në orën 20:45, sfidë kjo e vlefshme për Grupin K të kualifikueseve të Kupës së Botës 2026.
Që 'Tre Luanët' janë një ndër skuadrat më të mira në botë kjo nuk ka diskutim, por diferencat me ekipin tonë janë shumë të mëdha, megjithëse ndeshja luhet në fushë dhe nis 0-0.
Trajneri Thomas Tuchel ka grumbulluar lojtarë që në treg vlejnë 1.34 miliardë euro. Ndërkohë nga ana tjetër emrat që Sylvinho ka të gatshëm vlejnë 98 milionë euro. Sa i takon shifrave, diferencat janë të frikshme, por shpresa është që diçka e tillë mos shihet edhe në fushë.

Nëse shohim emrat, katër futbollistë të Anglisë tek e tek vlejnë më shumë se gjithë Kombëtarja jonë. Fjala është për Jude Bellingham, yllin e Real Madrid që nga "Trensfermarkt" vlerësohet me 180 milionë euro. Më pas Phil Foden dhe i dëmtuari Cole Palmer vlejnë nga 130 milionë euro, ndërsa 110 milionë euro është kartoni i Declan Rice. Edhe Harry Kane vlen 90 mln euro, teksa i rikthyeri Jordan Henderson tanimë në 'perëndim' të karrierës kushton vetëm 3.5 milionë euro dhe është lojtari më pak i vlerësuar te 'Tre Luanët'.
Te Shqipëria lojtari me më shumë vlerë në treg vijon të jetë Kristjan Asllani i Interit, me 18 milionë euro. Pas tij Armando Broja i cili sheh rënie në vlerë dhe nga 25 milionë euro që vlente dikur, sot e sheh veten me 13 milionë euro, një milionë euro më shtrenjtë se Ernest Muçi i Besiktas.
Në letër Anglia dukshëm është favorite për cilësitë që ka në grup, por fakt është që ndeshja fillon 0-0 dhe tanët shpresojnë të bëjnë një surprizë në mitikun "Wembley", duke qenë se historia flet për vendasit, që në gjashtë ndeshje kanë gjashtë fitore kundër ekipit tonë.
S.Dh/Shqiptarja.comKomente

