Momente paniku janë regjistruar në brigjet e Fethiyes, në jugperëndim të Turqisë, ku një anije turistike me 115 persona në bord është përfshirë nga flakët gjatë një udhëtimi ditor.
Me përhapjen e shpejtë të flakëve, pasagjerët, mes tyre edhe fëmijë, veshën jelekët e shpëtimit dhe u hodhën në det.
Në ndihmë të tyre ndërhynë menjëherë Roja Bregdetare, policia detare, shërbimet e sigurisë bregdetare, si edhe anije të tjera që ndodheshin pranë zonës. Pasagjerët u nxorën në breg, ku u kontrolluan nga ekipet mjekësore.
Sipas raportimeve fillestare, nuk ka viktima. Agjencia turke AA raportoi se ekipet e emergjencës evakuuan 107 persona, ndërsa mediat lokale thanë se në anije ndodheshin gjithsej 115 persona.
Flakët përfshinë pothuajse të gjithë anijen, duke i shkaktuar dëme të mëdha, ndërsa sipas raportimeve ajo më pas nisi të fundosej.
Shkaku i zjarrit nuk është bërë ende i ditur. Autoritetet turke kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e incidentit.











Komente
Komento