Anila Varfi rrëfen: Sekretet e
vip-ave të kinemasë

Anila Varfi rrëfen: Sekretet e<br />vip-ave të kinemasë
Anila Varfi të jep përshtypjen e një zonje të ëmbël, thuajse të brishtë dhe me klas. Por përtej imazhit të saj "të butë" fshihet një grua këmbëngulëse, plot energji dhe besim në vetvete, që pabesueshmërisht ia ka dalë mbanë të ngrejë në këmbë një festival. Dhe jo vetëm e ngjizi këtë ngjarje që po kthehet në një pikë referimi të kinemasë, por bindi edhe shumë aktorë, regjisorë e producentë që të vinin deri në Durrësin e saj të lashtë. Sepse ata, sicc thotë ajo, janë si dielli për tokën. Krahasimi fiton më shumë vlerë sidomos kur bëhet fjalë për Shqipërinë, vendin e vogël të Europës, një treg thuajse i papërfillshëm kinemaje në marketet e fuqishme botërore. Gjatë pesë viteve falë Durrës Film Festival kanë ardhur në Shqipëri Francis Ford Coppola dhe Claudia Cardinale, Fanny Ardant dhe Marco Bellocchio, Kryzystof Zanusi etj. Ndërsa Al Pacino dhe Meryl Streep priten të vijnë për edicionin e ardhshëm. Por nëse publiku, artistët dhe deri politikanët tanë kanë shijuar momente gëzimi duke ndarë kohë apo mendime me të ftuarit vip të kinemasë së huaj, pakkush e di se prapaskenat e vizitave janë të mbushura plot detaje që kërkojnë durim dhe komunikim thuajse diplomatik, por shpesh edhe fatura të kripura financiare. Dhe mbi të gjitha pakkush mendon për buxhetin e një ngjarjeje që siguron atë imazh që aq shumë ia dëshirojmë vendit tonë. Mjaft të citojmë një shkrim në revistën "Desk Theatre" që shkruan për Durrës Film Festival: "Një festival me një program mbresëlënës, por që u përpoq të fshihte minimuskujt e tij ekonomikë." Atributi për këtë sakrificë I mbetet ideatores Anila Varfi që cdo vit shpërfill vështirësitë për të ecur përpara dhe që premton se do të sjellë yjet e kinemasë botërore ndonëse jo kurdoherë ka ndihmën e nevojshme financiare.Organizatorja e festivalit të filmit tregon paskuintat. Kërkesat e Claudia Kardinale, Francis Ford Coppola. Dhe dëshpërimi: duhen fonde që të sjell Meril Streep dhe Al Pacino

Pesë vite më parë ju morët një iniciativë që bëri të mundur lindjen e një aktiviteti që sot është pjesë e axhendës kulturore. Sa e vështirë është të ngresh një festival në Shqipëri?

Tejskajshëm vështirë. Por mendoj se ekzistenca dhe vështirësia janë çdo herë në garë me njëra-tjetrën. Por fatmirësisht në këtë moment them që kjo krijesë artistike 5-vjeçare Durrës Film Festival na ka lumturuar duke e ravijëzuar mirë profilin dhe ekzistencën e saj artistike. Kjo ishte një inciativë që e dinim se ia vlente që kur e lindëm më 22 gusht të vitit 2008, kur QKK dhe Bashkia Durrës e plazmoi këtë krijesë.

Një nga veçantitë e festivalit është pjesmarrja e artistëve të huaj. Sa e rëndësishme është një për një festival shqiptar pjesmarrja e emrave të mëdhenj të kinemasë?

Ata do të jenë gjithmonë siç drita e diellit është për tokën mëmë. Emrat që kanë bërë histori në kinemanë botërore do të ndjellin kaherë kërshëri dhe dëshirë për t'i dëgjuar, për t'i prekur dhe për t'i pasur pranë. Ata janë shkollë kinemaje, lektorë profesionalë, rrymë dhe tendencë e kohës.

Shqipëria është një vend i vogël dhe një treg i vogël gjithashtu,. Si ia keni dalë që të bindnit aktorë, regjisorë dhe producentë që të vinin në festival?

Çdo artist e ka një fjalëkalim që hap portat e tyre. Si e kam gjetur fjalëkalimin, do të thoni ju?! Duke rrëmuar në krijimtarinë e tyre. Për shembull fjalëkalimi i Jan Harlanit, producentit të Stanly Kubrick ishte: " Hej, jam i etur të jap dijen dhe eksperiencën për ju, regjisorë të ardhshëm. Ja ku jam, "vidheni" bankën e kinemasë Kubrick!". Muza, e mrekullueshmja Fanny Ardant kishte fjalëkalim të portave të saj "Dua të më shikoni dhe si regjisore!"

Cili prej të ftuarve ishte më i vështiri për tu bindur?

Claudia Cardinale e cila kishte shumë teka për të lëvizur nga shtëpia, jo më të vinte deri në Shqipëri. Tentativat me të, i menduam të dështuara. Vetëm 19 ditë para se të fillonte edicioni i 4-ërt i Durrës IFFS, bie një telefon nga Los Angeles. Ishte këshilltarja e festivalit, Silvia Bizio. E kam akoma në vesh tingullin e zërit të saj. "Hej Nil a e hape emailin? E lexove lajmin e madh? Jo-i thashë- pse ç'ka ndodhur? "Cardinale kërkoi vetë këtë rradhë që të vijë në Durrës Festival"- ma ktheu ajo nga ana tjetër e telefonit. "Mos bëj shaka"- iu përgjigja. Por në fakt ishte e vërtetë dhe fjalëkalimi i portave të saj ishte: Francis Ford Coppola. Silvia më sqaroi se kushti i saj për të ardhur ishte një takim personal me Francin Ford Coppolan. Trill dhe kaprico aktoreje kishte dhe Fanny Ardant që kërkoi parukier dhe grimier personal për ditët që do të qëndronte në Durrës, në çdo orë dhe kohë....

Coppola dukej si një ëndërr që nuk mund të bëhej realitet, por ju e sollët në Shqipëri. Çfarë e bëri që të bindej?

E vërtetë! Askush nuk besonte se regjisori legjendë Francis Ford Coppola do të vinte në Durrës Festival. Janë dashur dy vjet për ta bindur. Unë e dija fjalëkalimin e Coppolas, por më duhej një zë që të kalonte barrierat dhe ai zë ishte kompozitori Aldo Shllaku, miku im me banim në Los Angeles. Megjithatë Francis Ford Coppola nuk kishte vetëm një fjalëkalim, por disa dhe për t'i zbuluar më është dashur të kaloj prej 5 muajsh një bashkëbisedim të detajuar për çdo hallkë të organizimit.

Nëse mund të flasim për "teka" vipash cilët prej të ftuarëve kanë qenë më të vështirët për tu menaxhuar?

Na kishin folur për tekat e Fanny Ardant. Na patën thënë të tregonim kujdes me të sepse është një aktore kapriçioze dhe inatçore. Kapriço e saj ishte që nuk donte të udhëtonte në mëngjes herët, një kusht që e kanë edhe shumë aktore të tjera. Ishte tekë e bukurisë. Kështu që mu desh të dilja vetë e ta prisja në mesnatë në aeroport. E pashë të vinte e mrekullueshme, e veshur e gjitha me të zeza dhe me një shall që i konturonte portretin si ikonat e viteve '60. Me të drejtë italianët e kanë pagëzuar si muza franceze. Përgjatë udhëtimit nga aeroporti deri në Durrës, u përpoqa të isha e kujdesshme në dialog me të dhe të kuptoja nëse ishte e vërtetë që kisha përballë një kapriçoze apo jo. Dhe të them të drejtën nuk kuptova shumë atë natë. Dhomën e hotelit e kishim gjetur ashtu siç e donte ajo, që të mos pipëtinte as miza. Sharmi dhe eleganca e një francezeje të vërtetë doli në pah mëngjesin e parë në Shqipëri e për këtë iu desh të kujdesej, mes etheve, vajzave grimiore dhe parukiere që rrinin si në gjemba për të marrë miratimin e saj. Nuk i harroj duart e tyre që dridheshin. Kur e kishe përballë në tavolinë ajo shndërrohhej në tjetër njeri. Të bënte që admirimi për të shtohej për çdo minutë që rrije me të. E magjishme!
Le të themi trill, por këtë herë fort i çuditshëm, ai i regjisorit erudit polak Kryzystof Zanusi i cili donte doemos të shkonte në meshën e të dielës, që mbahej në kishën katolike në Durrës. Ishte mbresëlënëse kur ai u bë pjesë e dhe e përcolli meshën me gjithë besimtarët shqiptarë të asaj dite në kishë. Ata nuk e dinin se midis tyre kishin një emër të madh të kinemasë botërore.
Rade Serbedzija, në edicionin e parë, u soll vërtet si një artist kapriçioz kur nuk erdhi dhe e la avionin. Dhe batuta e tij justifikuese ishte tepër fëminore :"U zgjova vonë!". Atë çast rreth meje teksa shoferi erdhi nga aeroporti pa Raden, në hollin e teatrit ishin përfaqësues të ambasadës kroate që po prisnin njësoj si unë ardhjen e tij. Mu duk sikur qielli më ra mbi kokë.
Kur erdhi me të vërtetë për të dytën herë në edicionin e tretë e të "vërtetë", ai qeshte me atë kapelen republike që nuk e hiqte nga koka duke thënë:"E di që jam një fëmijë tekanjoz". Por ndjesa e tij më kushtoi shumë shtrenjtë, plot dy bileta avioni. Tekat e Claudia Cardinale? Ajo donte që shoferi i makinës që e shoqëronte, të ishte doemos i bukur dhe të kishte sens humori. Ku ta gjenim? …..
Francis Ford Coppola kishte fobi shkallët. Nuk donte të ngjiste shkallë. Sigurisht që ia plotësuam kushtin. Edhe pse axhenda ishte mbyllur përpikmërisht me orë e minuta muaj para ardhjes së tij, ai kishte një kërkesë të heshtur, të cilën e dinte fort mirë Adriana, producentja dhe asistentja e tij. Nuk donte të rrinte shumë në praninë e njerëzve. Donte dreka private. Besoj tekë e lodhjes nga fama. E megjithatë të gjithë donin ta preknin nga pak dhe ta kishin pranë kështu që na u desh të organizonim një drekë të paaprovuar në axhendë. Për pasojë inati ra mbi Adrianën. Ai kishte një dëshirë të hante gjithçka që ne kishim tradicionale. Kërkesë që e mësova gjatë ardhjes nga aeroporti për në Durrës. "Dua të provoj çdo gjë që ju keni tuajën" tha ai.

Cili prej tyre ju ka befasuar më shumë?

Në fakt janë dy ata që më kanë befasuar më shumë; Coppola dhe Forman. Coppola me mençurinë, drejtësinë dhe urtësinë e tij. Kujtoj që mbrëmjen e fundit para se të largohej, buzë detit, më tregoi sekretin e dobësisë së tij. Ishte djali i tij, i larguar nga kjo botë. Ndërsa Forman më ka befasuar me falenderimet e vazhdueshme për ftesën që e bënte të lumtur,ndërkohë që ishte ai që na kishte bërë ne të lumtur. Dhe dobësia e tij ishte familja. Ai thotë: fjalëkalimi im është-FAMILJA. Njeriu tjetër që më befasoi ishte aktori dhe regjisori serb Ljubisa Samardzic, i cili kishte sjelljen e një princi të vërtetë.

Cilët personalitete të kinemasë nuk arritët dot të sillnit dhe përse?

Janë dy emra që besoj janë kërshëria e gjithë publikut, Gabriel Garko dhe Raoul Bova të cilët si bukuroshë, janë më shumë sesa të kërkuar dhe me një axhendë super të ngjeshur. Atyre iu desh të ndryshojnë destinacion një ditë para ardhjes.
Ndërsa pengu im i madh është Gerard Depardieu dhe mungesa e tij ka vetëm një përgjigje; financat e munguara.

Paratë dhe arti, duket se janë në një marrëdhënie domodoshmërie të pashmangshme… Si e mendoni këtë raport në rastin e festivalit tuaj?

Sigurisht që një festival i cilitdo zhanri në këtë rast i kinemasë që përfshin të gjitha artet nuk është vetëm një festë dhe paradë kinematografike,por edhe një pasarelë e mirëfilltë ku unë do të përdorja frazën e ish presidentes për Fiprescin për edicionin e katërt të festivalit e cila do të thoshte: "Fuqia ekonomike janë muskujt e një festivali!" Fatmirësisht apo fatkeqësisht e cilësoi në artikullin e saj në revistën londineze "Desk theatre", një festival me një program mbresëlënës, por që u përpoq të fshihte minimuskujt e tij ekonomikë.

Vit pas viti duket sikur organizimi i festivalit bëhet më i thjeshtë, por si është në të vërtetë?

Jo vetëm që nuk bëhet më i thjeshtë, por thjeshtësia varet nga pretendimet. Durrës Film Festival i ka shtrirë pretendimet e tij në dimensionin ndërkombëtar sikundër ka edhe emrin.

Cili është çelësi i rezistencës ndaj vështirësive që hasni?

Nuk di si të them, nuk ka këshillë për këtë, por di që ia dal mbanë. Dikush nga kolegët e mi duke hequr modesintë mënjanë, më thotë me të qeshur:"Ti je si një magji që i tërheq të gjithë me energjinë tënde"

Sapo ka përfunduar edicioni i pestë i festivalit dhe duket puna ka mbaruar. Por në fakt është ende herët për të filluar punën për edicionin e ardhshëm?

Sigurisht që puna e një edicioni fill sapo mbaron tjetëri. Të organizosh një festival është njësoj si të përgatisësh një ushtri për betejën e radhës, hapësira të reja, kërkim nga një treg në tjetrin, nga një kontinent në tjetrin, me pak fjalë të jesh brenda asaj që quhet molekula e informacionit të parë. Dhe njëherazi një ekspansion në kuptimin e plotë të fjalës për të bërë të mundur që vit pas viti vështirësia e të qenurit vend i vogël të mos jetë më pengesë për ardhjen e yjeve, por të jetë një destinacion i dëshirueshëm, për të qenë mysafirë.

Shkrimi u publikua ne suplementin FUNDJAVA te Shqiptarja.com, 28 shtator 2012
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga