ANKARA, 18 shkurt /ATSH-AA/ - Gjatë seancës së mbrëmjes së vonë, dje, në parlamentin turk ka ndodhur një sherr masiv mes deputeteve, ku disa deputetë u plagosën dhe dy prej tyre u shtruan në spital.
Rrahja ka ndodhur gjatë polemikave në lidhje me vendosjen në axhendën e diskutimeve të reformës në fushën e sigurisë së brendshme.
"Ishte sulm me të vërtetë i rëndë. Protagonistët e rrahjes kanë hedhur karrige metalike deputetit Aykut Erdogdu, madje janë përdorur edhe çekiçë. Një deputet është goditur me zilen e kryetarit", deklaroi deputeti nga radhët e partisë kurde HDP, Ertugrul Kurkcu.
Ai shtoi se rrahja mes deputetëve ka ndodhur gjatë një seance të mbyllur, ndërsa është paraprirë nga një debat i gjatë dhe të nxehtë që kaloi në rrahje mes deputetëve të partisë AK dhe deputetëve të opozitës.
Debatet për reformat e sigurisë së brendshme do të vazhdojnë nesër, ndërsa opozita paralajmëron se do të shfrytëzojë të gjitha mjetet ligjore për të bllokuar këtë reformë.
Deputetët Refik Eryilmaz dhe Musa Cam janë shtruar në spital, i pari me plagosje në dorë, ndërsa i dyti pësoi thyerje të brinjëve./ a.jor.







