Kuvendi nuk respektoi procedurat kur në nisje të legjislaturës së re në shtator të vitit të shkuar, rikompozoi të gjithë arkitekturën e komisioneve të përhershme parlamentare, duke shtuar numrin nga 8 në 11.

Në këtë përfundim arriti Gjykata Kushtetuese pas kërkesës së bërë nga Partia Demokratike, duke thënë se mosrespektimi i procedurës nuk u dha mundësi as deputetëve të Kuvendit për të dhënë mendimet e tyre apo për të bërë propozime.

“Gjykata vlerësoi se duhet vendosur shfuqizimi i vendimit të Kuvendit për shkak të cenimit të parimit të demokracisë përfaqësuese të lidhur me lirinë e shprehjes së deputetëve si pasojë e shkeljes së rregullave të thirrjes së mbledhjes së Kuvendit si dhe të procedurës së ndjekur për miratimin e aktit objekt shqyrtimi”, thuhet në vendim.

Edhe pse vendosi pezullimin e vendimit të datës 16 shtator, Gjykata megjithatë vendosi që t’i lërë 30 ditë kohë Kuvendit për të bërë nga e para procedurën, por pa penguar punën.

“Gjykata vendosi që efektet e këtij shfuqizimi hyjnë në fuqi 30 ditë pas botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare, në mënyrë që gjatë këtij afati, Kuvendi të ketë mundësinë e organizimit të komisioneve parlamentare sipas standardeve për procedurën e miratimit të akteve të përcaktuar në arsyetimin e këtij vendimi”, thuhet në shkresë.

Edhe pse e quajti të çuditshëm vendimin e Kushtetues, në një reagim të menjëhershëm kreu i grupit socialist Balla tha se socialistët do t’i rimiratojnë ndryshimet në rregullore, duke përfshirë edhe ndryshime të tjera procedurale, që i paralajmëroi në fillim të sesionit kryeministri.

Ndryshimet që parashikonin rritjen e numrit të komisioneve parlamentare nga 8 në 11 u bënë vetëm 3 ditë pas konstituimit të parlamentit në shtator, ndërsa PD pretendonte që ndryshimet jo vetëm u bënë në mënyrë të nxituar dhe pa respektuar as afatet e procedurës së përshpejtuar, por përmes ndryshimeve të njëanshme edhe ngushtuan hapësirat e saj në parlament.

Nga 11 komisionet e reja, 7 prej tyre drejtohen nga Partia Socialiste, ndërsa 4 nga opozita, kësaj të fundit iu mor edhe drejtimi i Komisionit për Integrimin, që u bashkua me atë të Jashtëm në një komision të vetëm.

 

Lajmi në përditësim...