VORË- Aksioni anti-informalitet ka goditur një tjetër rast të fshehjes së produkteve të akcizës. Në një inspektim të një subjekti nga Ministria e financave është zbuluar një depozitë me kafe të pjekur, 'Meduza' me një sasi totale prej 76 mijë kilogram e cila nuk kishte shlyer detyrimet ligjore.

Detyrimi i munguar i akcizës është rreth 4.6 milionë lekë dhe krahas kësaj shume, subjektit që kishte në pronësi kafen pa akcizë është gjobitur me 13.8 milionë lekë, duke e çuar në total detyrimin që duhet të paguajë subjekti në vlerën e 18.4 milionë lek ose thënë ndryshe 150 mijë euro.

Në këtë inspektim në zonën e Vorës ka qenë e pranishme edhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave,Arlinda Gjokuta.
Ndërkohë në lidhje me këtë shkelje ka reaguar edhe kryeministri Rama duke thënë se " Lufta kundër abuzuesve vazhdon pa pushim dhe do të shtrihet në çdo magazinë doganore, për të gjitha produktet e “rënda” të akcizës".  Zbulimi i evazionit fiskal në Vorë ka ardhur në saj të aksionit që po ndërmerret në të gjithë vendin tonë për të goditur informalitetin, duke filluar nga plazhet dhe lirimi i zonave publike e deri tek hotelet e komplekset me të famshme të vendit.

“Në vijim të zbatimit të planit operacional të masave që Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka nisur qe prej datës 1 korrik, ka vijuar kontrolli i të gjithë subjekteve që tregtojnë produktet e akcizës. Fokusi kryesor ka qenë te produktet e karburantit, por nuk janë lënë pas dore edhe produktet e tjera siç janë pijet alkoolike, kafja apo duhani. Plani është i ndarë sipas produkteve dhe përsa i perket pijeve alkoolike, fokusi kryesor gjatë këtij muaji ka qenë te produkti i birrës dhe do të vazhdojë të jetë aty. Të gjithë strukturat tona janë fokusuar si në fabrikat e prodhimit të birrës, ashtu edhe te magazinat fiskale të stokimit”, u shpreh Gjokuta.

Kujtojmë se disa ditë më parë aksioni anti-informalitet  ka ndëshkuar  subjektin e hidrokarbureve Gega Oil pasi është kapur me shkelje. Ky biznes kryente evazion fiskal duke kaluar regjimin e kasës nga automatike në manuale, duke fshehur kështu të ardhurat reale e duke deklaruar më pak fitim. Subjekti në fjalë është kapur me një sasi prej 233 mijë litra benzinë të pa deklaruar e cila fshihej pikërisht përmes ndryshimit të regjimit të kasës. Benzina e pa deklaruar  u kap në Porto Romano në magazinat fiskale, gjatë një inspektimi në terren dhe ndaj Gega Oil u vendos një gjobë 350 mijë euro.

( Dokumenti që vërteton bllokimin e kafes "Meduza" )