‘Antishpifja’, Kumbaro për Report Tv: Do rishikohen kompetencat e AMA-s dhe çështja e gjobave

Ligji për mediat audiovizive në Shqipëri, pjesë e paketës Antishpifje është në rishqyrtim nga Kuvendi pas kritikave të shumta nga Komisioni i Venecias,i cili ngriti shqetësimin për gjobat dhe ndërhyrjen e autoriteteve ndaj gazetarëve. Deputetja e PS, Mirela Kumbaro, e cila drejton grupin e punës që po punon për të implementuar në projektligj rekomandimet e Venecias, tregon për Report Tv se me ndryshimet e bëra, nuk do të ketë kompetenca të shtuara të AMA-s e gjithashtu do të rishikohet dhe çështja e gjobave.

Do rishikohet gjithçka që komisioni i Venecias ka rekomanduar, qoftë proporcionaliteti i gjobave, qoftë mundësia që kanë subjektet, portalet online që në rast të vendimeve ndëshkimore mund të ankimohen pranë Bordit dhe më tej të kërkohet pezullim në Gjykatë, të gjithë këto do pasqyrohen në draft ligjin e ri. Nuk do ketë kompetenca të shtuara të AMA-s dhe as monopolizim të këtyre kompetencave nga AMA. Portalet apo mediat, e theksoj mediat profesionale, jo blogjet, statuset individuale, por mediat profesionale online do duhet vetëm të identifikohen pa pasur detyrimin të regjistrohen”, tha Kumbaro.

Përveç kompetencave, një tjetër shqetësim që është ngritur nga Komisioni i Venecias për AMA-n është dhe varësia e këtij institucioni nga politika.

Komisioni i Venecias në rekomandimet e saj ka hedhur dyshime në veçanti për pavarësinë nga politika e institucioneve si AMA, që duhet të rregullojnë mediat. Në qershor pas rekomandimeve është formuar një grup i përbashkët i Komisionit të Ligjeve dhe Medias, me përfaqësi të AMA-s , Avokatit të Shtetit, RTSH, etj", u shpreh ajo për Report Tv.

Konsultimi me grupet e interesit dhe gazetarët do të bëhet pasi të ketë përfunduar puna në Kuvend.

“Jemi në procesin e redaktimit dhe hartimit të tekstit dhe pa diskutim që në momentin që do kemi tekstin gati, dhe do të kemi një projektligj të plotë faza e dytë është dërgimi i këtij teksti të gjitha grupeve të interesit, për t’ju kërkuar të përcjellin me shkrim opinionet dhe propozimet e tyre se si mund ta bëjmë më mirë këtë ligj”, tha Kumbaro.

 “Anti-Shpifja”, e kontestuar  nga grupet e interesit dhe institucione ndërkombëtare, u votua në parlament në dhjetor të vitit të kaluar me votat e mazhorancës. Në opinionin e saj, mbërritur në Shqipëri në qershor të këtij viti, Komisioni i Venecias vlerësoi se paketa “Anti-Shpifje” nuk është gati për t’u adoptuar dhe karakterizohet nga një vakuum i madh ligjor.

“Ligji karakterizohet nga paqartësi dhe mund të ketë një efekt frenues të fjalës së lirë. Ligji mund të prodhojë censurë dhe autocensurë në median online dhe jo vetëm", thuhet në draft-opinionin e Komisionit të Venecias.

Edhe presidenti Ilir Meta e ka kthyer në Kuvend paketën Antishpifje duke kërkuar nga Kuvendi rishqyrtimin e saj. Presidenti pretendon se cenohet liria e shprehjes dhe e shtypit, duke vendosur median nën kontroll politik.

I.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës