Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka riafirmuar mbështetjen e Bashkimit Evropian për Kosovën gjatë vizitës së tij zyrtare në Prishtinë, duke theksuar se vendi ka nevojë për institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale për të avancuar në rrugën europiane.

Pas vizitës në Tiranë, Costa udhëtoi drejt Kosovës, ku sot u u takua me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si dhe me përfaqësues të partive opozitare.

Në një reagim pas takimeve, ai tha se partneriteti me Bashkimin Evropian shoqërohet edhe me përgjegjësi, duke u bërë thirrje forcave politike që ta vendosin integrimin në BE përtej ndasive politike.

Sot jam në Prishtinë për të riafirmuar mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për Kosovën. U takova me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ushtruesin e detyrës së kryeministrit Albin Kurti dhe me liderët e partive opozitare. Ndërsa Kosova shkon drejt zgjedhjeve këtë fundjavë, mesazhi im është i thjeshtë: partneriteti ynë vjen me përgjegjësi. I kam inkurajuar liderët politikë që ta vendosin integrimin në BE si prioritet, përtej ndarjeve politike, dhe të punojnë së bashku drejt këtij qëllimi të përbashkët. Kosova ka nevojë për institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale, të afta për të zbatuar reforma, për të shfrytëzuar mundësitë që ofron Bashkimi Evropian dhe për të përmbushur të gjitha zotimet në kuadër të dialogut”, u shpreh Costa.

Vizita e Costës në Prishtinë vjen në kuadër të turit të tij në Ballkanin Perëndimor, pak ditë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet më 5 qershor në Tivat. Gjatë vizitës në rajon, ai ka përsëritur se ekziston një moment i favorshëm për zgjerimin e Bashkimit Evropian, por progresi i secilit vend do të varet nga reformat dhe rezultatet konkrete.