Tenderi 48 milionë eurosh (pa TVSH) i hemodializës, në të cilin tre ditë më parë u shpall fituese kompania Diaverum AB, e njëjta që ka ende në koncension këtë shërbim, është anuluar. “Një procedurë e hapur mbrapsht”, shkruan në një status të saj në Facebook, ministrja e Shëndetësisë Klodiana Spahiu. Ajo nuk e përmend me emër “procedurën” së cilës i referohet, por postimi i saj, lidhej pikërisht me çështjen e Operatorit të shërbimit të integruar të Sterilizimit (Oshis) i cili kishte hapur garën.

Ditën që bëri betimin te presidenti i Republikës, firmën e saj të parë ministrja Spahiu e hodhi për largimin e drejtoreshës së Oshis, Arisa Cane, 24 orë pasi u shpall fituesi i garës për shërbimin e hemodializës. Koncensioni përfundon në fillim të muajit nëntor. Në statusin e saj ministrja shkruan se “qytetari vjen përpara koncensionit” dhe se e gjithë procedura i ishte nënshtruar një “rishikimi të imtësishëm”. 

Gara e hapur për shërbimin e hemodializës, në pesë qendra spitalore publike Shkodër, Lezhë, Korçë Vlorë dhe Elbasan, kishte ngritur një sërë pikëpyetjesh. Ajo kishte nisur vetëm pak ditë pasi ministrja tanimë e dorëhequr, Evis Sala kishte deklaruar publikisht se këtë shërbim pas përfundimit të koncensionit në tetor të këtij viti, do ta realizonte shteti. Dhe po atë ditë, më 30 korrik, qeveria kishte marrë vendimin që Oshis të kthehej në Operatorin e shërbimeve të integruara shëndetësore, (Oshish) duke patur si objekt të ofronte edhe shërbimin e dializës dhe atë të check-up, kontrollit mjekësor bazë. Por ky vendim nuk është reflektuar ende në Qendrën kombëtare të biznesit, dhe Oshis kishte hapur kështu, një garë për një aktivitet që nuk është në objektin e veprimtarisë së vet.

Koha e shkurtër e garës, nga 17 gusht deri më 1 shtator, dukej po ashtu një mënyrë e qartë për ta paracaktuar fituesin. Formalisht gara ishte shpallur ndërkombëtare, por asnjë kompani serioze nuk do të mund të merrte një vendim brenda dy javësh dhe për më tepër në muajin gusht, një periudhë pushimesh. Kështu që nuk kishte asnjë dyshim se e vetmja e interesuar, do të ishte kompania Daverium AB, e cila në vitin 2019 kishte blerë kompaninë DiaVita, fituese e koncensionit 10 vjeçar të hemodializës, në pronësi të së cilës ishte dhe Spitali Amerikan. Në dokumentat e garës, koha e ngushtë justifikohej me urgjencën që paraqiste situate, duke qenë se koncensioni përfundonte në fillim të nëntorit, dhe për pasojë me nevojë për të garantuar pa ndërprerje shërbimin. Por nga ana tjetër, mbetet e pashpjegueshme se përse autoritetet ishin kujtuar në minutat e fundit, në një kohë kur skadenca e koncensionit nuk ishte një datë e panjohur.

Vlera e lartë e fondit të garës ngrinte po ashtu dyshime. Në vitin 2016, koncensioni i hemodializës u dha për 7.2 miliard lekë për 10 vjet, pra mesatarisht 720 milionë lekë në vit. Këtë herë vetëm për 4 vjet, u dha me një vlerë prej 4.4 miliard lekësh (pa TVSH) ose mesatarisht 10.1 miliardë lekë në vit, mbi 50 përqind më shumë. Dhe e gjitha kjo, në një kohë kur tanimë, ofruesit të këtij shërbimi, nuk do t’i duhet të investojë për pajisjet. Sipas kushteve të garës, do të trashëgojë të gjithë infrastrukturën e gatshme. Në një panoramë të tillë, të paqarta mbetën dhe detajet e tenderit, për të kuptuar mbi cilat argumenta ishte bazuar përllogaritja e kostovo të rritura ndjeshëm. Dhe akoma më e paqartë, është se përse këtë shërbim nuk e ofronte dot vetë shteti, duke qenë se mjekët e hemodializës, janë të njejtët që punojnë në spitalet publike.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:14
Emërimi i Yllka Kukalajt në OSHISH, Spahiu i përgjigjet kritikave: Menaxhere shumë e mirë, opozita numëron kushërinjtë

1789319875_klodianaspahiu.webp

Foto: Klodiana Spahiu

Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka reaguar pas pyetjeve të ngritura nga Bardh Spahia për emërimin e Yllka Kukalajt në drejtim të OSHISH (Operatorit të Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit)

Spahiu mbrojti zgjedhjen duke renditur eksperiencën e Kukalajt në administrimin e financave dhe drejtimin e spitalit të Krujës, ndërsa hodhi poshtë kritikat që e lidhin emërimin me marrëdhënie familjare. Sipas saj, drejtuesit do të gjykohen për punën dhe jo për “pemën gjenealogjike”.

Arisa Cane, e cila ishte administratorja e OSHISH, shoqërisë aksionere me pronar Ministrinë e Shëndetësisë, u shkarkua nga detyra të premten nga ministrja Klodiana Spahiu.

Reagimi i plotë i Ministres së Shëndetësisë:

Z. Bardh Spahia ka pyetur publikisht për emërimin e Yllka Kukalajt. Ka të drejtë të pyesë. Unë kam detyrë të përgjigjem.

Pse Yllka Kukalaj?

Sepse në atë detyrë nuk më duhet dikush që ta mësojë punën. Më duhet dikush që e njeh atë. Yllka Kukalaj është ekonomiste. Ka drejtuar sektorin e buxhetit dhe pagave në bashkinë e Krujës, pastaj spitalin e qytetit, për vite, si titullare e autoritetit kontraktor.

Në atë spital ishte kur ra tërmeti, kur erdhi pandemia, kur u rindërtua godina dhe aty e kam njohur në punë. Kush e ka kaluar këtë rrugë të shërbimit e di sa kushton një shtrat dhe sa kushton një pajisje.

Atyre që thonë se Yllka Kukalaj qenka “anonime” i them po, me siguri është anonime për kafenetë politike të Tiranës. Nuk është anonime për spitalin që ka drejtuar, për mijëra pacientët që janë shërbyer dhe për peshën e madhe të përgjegjësisë që ka mbajtur përsipër.

Për kushërirat: ka një mënyrë shumë të vjetër për t’i goditur gratë që marrin një detyrë publike. Zhduket karriera profesionale dhe fillon gjurmimi në pemën gjenealogjike.

Burrave u numërohen heroizmat. Grave u numërohen kushërinjtë. Kjo nuk është mënyra ime. Yllka Kukalaj do të gjykohet për atë që bën në OSHISH, si çdo drejtues tjetër që do të emëroj. Me mua profesionisti vjen përpara paragjykimit dhe qytetari vjen përpara koncesionit.

Prandaj Yllka Kukalaj në drejtim dhe prandaj edhe rishikimi i imët i një procedure të gjetur të hapur mbrapsht. Këtë metodë di. Për këtë metodë kam ardhur. Nga kjo metodë nuk heq dorë!