Në urdhër thuhet se ai është lëshuar në zbatim të ligjit nr. 9258, datë 15.7.2004 “Për masat kundër terrorizmit”, ligjit nr. 8865, datë 14.3.2002 “Për ratifikimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara për Luftën kundër Financimit të Terrorizmit e vitit 1999, datë 29.10.2004, si dhe të vendimit nr. 936, datë 26.12.2012 “Për disa shtesa në vendimin nr. 718, datë 29.10.2004 të Këshillit të Ministrave “Për listën e personave të shpallur si financues të terrorizmit”, të ndryshuar” të Këshillit të Ministrave.
Bode ka urdhëruar revokimin e urdhrit nr. 2 të datës 3.12.2004 “Për sekuestrimin e aseteve të shtetasit arab YASIN AL-QADI i njohur dhe si: A) SHAYKH YASSIN ABDULLAH B) YASIN KAHDI C) YASSIN KADI Ç) KADI JASSIN D) YASSIN ABDULLAH KADI” të ministrit të Financave, i ndryshuar me urdhrat nr. 27, datë 5.7.2006 dhe nr. 36, datë 27.11.2006.
Ky revokim përfshin të gjitha fondet, llogaritë, asetet, pasuritë e paluajtshme, trojet, investimet në shoqëri tregtare dhe mjetet financiare në emër të shtetasit YASIN AL-QADI të sekuestruara me urdhrat e mësipërm. Për dorëzimin e pasurive të revokuara me këtë urdhër do të ngrihet një grup pune në përbërje të të cilit të ketë një përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave.
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara do të kryejë kthimin e pasurive të identifikuara dhe të marra në dorëzim, si dhe të ardhurave të siguruara nga administrimi i tyre, pasi t’i zbriten shpenzimet e lejuara
Ky urdhër ka hyrë në fuqi që ditën e lëshimit të tij.
Sipas përllogaritjeve të ekspertëve, pronat e sekuestruara kapin një vlerë prej rreth 4 milionë eurosh. Sekuestrimi i tyre ka nisur që në vitin 2004. Ndërkohë që, në fund të vitit 2005 dhe në fillimin e 2006-ës u sekuestruan edhe disa prona të tjera. Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara ka publikuar pronat e Jasin Kadi që jepen me qira, ku më shumë në sy për nga vlera dhe vendndodhja bien pasuritë që gjenden në dy kullat binjake tek kompleksi "Twin Towers" në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Bëhet fjalë për apartamente, vlera e të cilave shkon, nga 14 milionë lekë, deri në 17.9 milionë lekë. "Apartament A2, me sipërfaqe prej 118 m2, kati VII, kulla nr.2.", shkruhet në dokumentacionin e ofruar nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, të shoqëruar edhe me foto të brendshme të tij. Vlera e këtij apartamenti, sipas Agjencisë është 17.995.000 lekë.
"Apartamentet janë të përshtatshme për zyra, me pamje nga bulevardi 'Dëshmorët e Kombit', Qendra e Biznesit 'Sky Tower' dhe kompleksi 'Taiwan'. Gjendja fizike e tyre është e mirë. Apartamentet përbëhen nga katër zyra, dy tualete dhe një magazinë e vogël. Sistemi i kondicionimit është i rregullt dhe funksional. Rrjeti i internetit është funksional. Fasada e jashtme është prej xhami", shkruan Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. "Kjo pasuri është e përshtatshme për ambiente biznesi, kryesisht për zyra", shkruhet më tej në dokumentacionin shoqërues. Apartamente të tjera me sipërfaqe 118 m2 ndodhen në: A4, kati VII; A2, kati IX; A2, A4, kati XII; A4, kati XIII.
SHBA përfshiu Jasin Kadi në listën e biznesmenëve që financonin organizatat terroriste pas sulmit të 11 janarit, por pas disa vitesh emri i tij u hoq nga lista e biznesmenëve financues të terrorizmit.
(Gre.M/Shqiptarja.com)