SARANDE- Partia “Aleanca Popullore” zhvillon aktivitetin elektoral në Sarandë. Duke iu drejtuar qytetarëve të kësaj zone, kreu i AP, Artur Dojaka, tha se krijimi i kësaj force politike është i domosdoshëm për të risjellë në vëmendje çështjen çame. Dojaka tha se “AP është e gatshme të bashkëpunojë me çdo individ, institucion apo subjekt për të përmbushur me sukses amanetin e çamëve”.
 
“Me çështjen çame nuk mund të bëhet më spektakël. Ne nuk bëjmë show. Ne nuk jemi grimierë të çështjes çame. Ne jemi misionarë të çështjes çame. Ne nuk gënjejmë veten dhe të tjerët. Aleanca Popullore është e gatshme dhe ka marrë përsipër të gjitha përgjegjësit historike për ta kthyer fitoren e 23 qershorit jo vetëm në mandate deputetësh, por në një zgjidhje reale dhe përfundimtarë të kauzës sonë çame. Ne, çamëve, nuk na duhen turistë të çështjes çame. Komuniteti çam, ashtu si edhe politika shqiptare nuk mund të gënjehet më nga pseudo patriotizmi qesharak. Programi ynë është i qartë: Ne do jemi aktivë në diplomaci dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Së pari një lobim i fortë, serioz dhe i argumentuar pranë faktorit dhe organizmave ndërkombëtare, për të mbërritur në njohjen e një genocidi të mirëfilltë, dhe nisjen e procedurave për njohjen e të drejtave të mohuara padrejtësisht të një komuniteti të tërë. Më pas materializim në aksione konkrete politike e diplomatike”, Dojaka.
 
Ndërkaq në fjalën e tij, Pëllumb Xhufi tha se “Çështja çame është e shenjtë. Ajo nuk duron që të trajtohet me marifete, me makiavelizma. Është ideologji për çdo shqiptar, por sidomos për çdo çam. Më vjen keq ta them që në këto 23 vjet jo gjithmonë individë, shoqata apo parti të cilat kanë ardhur me flamurin e mbrojtjes së çështjes çame në të vërtetë e kanë injoruar, ndonjëherë edhe e kanë diskredituar çështjen çame. Premtuan shumë gjëra. Premtuan një rezolutë që e frynë sikur ishte mishërimi i problemit çam dhe e gjithë kjo rezultoi në një lojë të pështirë. Atëherë çfarë duhet bërë? Duhet ndërruar kursi, demokracia prandaj është. Në këto 23 vjet ne kemi parë shumë figura që kanë qenë në krye të komunitetit çam. Ua dimë për nder të gjithë atyre që kanë kontribuar. Por vjen një kohë natyrisht dhe dalin grupe të reja. Ne sot kemi këtë grup të shkëlqyer të Aleancës Popullore, të cilët kanë pasionin, angazhimin, vullnetin dhe vendosmërinë për të çuar përpara çështjen çame”.
 
Në fjalën e tij, kandidati numër një i “Aleancës Popullore” për qarkun e Vlorës, Amos Dojaka shprehu keqardhje që “Akoma dhe sot, jo vetëm që s’po gjejnë burrërinë për të pranuar dështimin e tyre, por vazhdojnë më të ndërgjegjshëm se kurrë të përdorin këtë tragji-komedi duke na ulur kokën në turp para komunitetit tonë. Të gjithë ne mbajmë përgjegjësinë për të treguar se komuniteti ynë nuk mund të pjesë e një maskarade të tillë, se asnjë fluturak politik nuk mund të na bëjë me turp në sytë e gjithë shqiptarëve. Eksperienca na tregoi se kush i kthen kurrizin çamëve dhe bën pazar mbi kurrizin e tyre e ka jetën politike të shkurtër dhe do të marrë gjithmonë vulën e turpit të shoqërisë tonë. Çamëria nuk është pronë private e askujt. Kush mendon se duke rrëmbyer një vulë dhe merr me vetë Çamërinë gabohet rëndë. Çdo individ i tillë është thjesht një vulë dhe një shpirt i humbur i Çamërisë. Aleanca Popullore, në datën 24 qershor do ju rikthej dinjitetin dhe çdo gjë tjetër që ju takon. Atyre u kanë ngelur vetëm 7 ditë për manovra meskine, ndërsa ne të gjithë së bashku kemi një të ardhme të plotë dhe të begatë përpara”.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)