BRUKSEL - Stefan Fyle, Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Evropian kërkon nga vendi ynë përmbushjen e reformave të kërkuara nga Komisioni Evropian ndërsa vlerëson progresin që ka bërë Shqipëria gjatë vitit 2011.

Në letrën drejtuar Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian si dhe atij të Senatit francez për Politikën e Zgjerimit të BE-së, Fyle nënvizon se "mbajtja e Shqipërisë ankoruar në perspektivën evropiane, mund të luajë një rol të rëndësishëm në konsolidimin e stabilitetit të saj politik dhe garantimin e vazhdimit të reformave nga politika shqiptare.”

Fyle bën një përshkrim të situatës politike dhe ecurisë së reformave në të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor si dhe në Turqi, Qipro dhe Islandë. Duke u ndalur te vendi ynë, Fyle shkruan:

“Shqipëria ka bërë një progres domethënës gjatë vitit të kaluar, sidomos në marrëveshjen ndërpartiake për reformat e adresuara nga Bashkimi Evropian. Ne ende nuk po propozojmë hapjen e negociatave për anëtarësim, pasi dhënia e statusit të vendit kandidat duhet të sjellë edhe plotësimin e disa kushteve të tjera si, reforma zgjedhore dhe parlamentare. Duhet punë në prioritetet kryesore, duke përfshirë fushat e sundimit të ligjit, reformën e administratës publike dhe të drejtat themelore.”

Fyle ka venë theksin te domosdoshmëria e përmbushjes së reformave të kërkuara, në mënyrë që vendi të ecë përpara në rrugën drejt integrimit evropian.

(j.d/Gre.M/Shqiptarja.com)