Apeli Administrativ i jep të drejtën Përmbarimit për t'i marrë kompanisë EKMA që administron tregun Agro-Ushqimor në Kashar, 46 milion lekë, para të gjobës së vendosur nga Autoriteti i Konkurrencës.

Prej disa muaj Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur EKMA-n për shkelje të rregullave të konkurrencës me qiradhënien e ambienteve për tregtarët dhe abuzimet me çmimin e dritave dhe ujit.

Kjo gjobë nuk ekzekutohej pasi EKMA kish fituar sigurim padie në Shkalën e Parë Administrative. Ky vendim është rrëzuar sot së bashku me kërkesën për sigurim padie nuk është pranuar.

Në Dhomë Këshillimi, tre gjyqtarët e kryesuar me relatore Alkelina Gazidede, anëtarët Amarildo Laci dhe Bari Shyti vendosën ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë me nr.5511 datë 10 janar 2019 si dhe rrëzimin e kërkesës për sigurim padie deri në përfundim të procesit.

Edhe në Shkallë të Parë Administrative gjoba ndaj EKMA-s u la në fuqi, ndërsa me një padi në Apel është kërkuar shfuqizimi i saj.

Po përse u gjobit EKMA?

Sipas Autoritetit të Konkurrencës që ka denoncuar abuzimet, tregtarët për këto ambiente paguajnë një qira  74% më të lartë se bizneset e tjera të zonës, duke ndikuar kështu edhe në rritjen e çmimeve të produkteve Agro-Ushqimore për qytetarët.

Çmimet i mundësojnë shoqërisë EKMA Albania sh.p.k një normë fitimi shumë të lartë prej 76.1% ku e përkthyer në vlerë monetare do të thotë se kap shifrën prej 380 milionë lekësh të reja vetëm për vitin 2017.

Në një deklaratë të bërë pak javë më parë, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj tha se në mandatin e katër viteve të ardhshme do të prishet monopoli i krijuar nga ky treg ushqimor, duke i hapur rrugën krijimit të një tregu të ri që do të shërbejë edhe si pikë grumbullimi.