TIRANE - Të gjithë të ushtrojnë të drejtën e votës me përgjegjësi dhe maturi, si një mënyrë për të zgjedhur ata që do t’i qeverisin”. Ky ka qenë në thelb apeli që ka ardhur nga tre komunitetet më të mëdha fetare në vendin tonë, për zgjedhjet e ditës së sotme.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë, pa dallim feje, që t’i shoqërojnë këto momente të zgjedhjeve parlamentare me qetësi, maturi dhe harmoni të plotë me të gjithë qytetarët e këtij vendi.

“Gjykojmë se të gjithë kanë të drejtë të shprehin me votë bindjen për qeverisjen që dëshirojnë, por ajo që ne urojmë dhe inkurajojmë është që kjo bindje të shprehet në qetësi qytetare dhe në respekt të plotë të normave më të bukura që ne trashëgojmë”, - thuhet në deklaratën zyrtare të KMSH-së.

Më tej ata deklarojnë se distancohen nga çdo rast që mund të tentojë të ngatërrojë çështjen e besimit fetar me politikën, siç ishte rasti i një dite më parë të publikuar te “Shqiptarja.com” dhe inkurajojnë të gjithë besimtarët të shprehin të drejtën e tyre ligjore përmes votës së lirë dhe të ndershme për të dhënë kështu kontributin e tyre për Shqipërinë e nesërme.

Kisha Katolike e Shqipërisë, e ka dhënë mesazhin e saj për ditën e votimit që një muaj më parë. Në një letër qarkore të ipeshkvijve katolikë të Shqipërisë për zgjedhjet 2013, ata madje u kanë kërkuar besimtarëve të mos e shesin votën e tyre, pasi me anë të votës ai zgjedh atë që do ta qeverisë, dhe jo pronarin e lirisë së tij. “Të dashur vëllezër, shitblerja e votës është shitblerja e lirisë.

Me anë të votës qytetari zgjedh atë që e qeveris dhe jo një blerës që bëhet pronari i lirisë së tij. Një i zgjedhur që vjen në pushtet me një votë të vjedhur apo të blerë nuk e meriton atë vend. Po ashtu ai që shet votën shet dinjitetin e tij dhe me këtë votë sjell në pushtet dikë që ia blen këtë dinjitet: e gjithë kjo është në dëm të përbashkët”, - thuhet në letrën e Ipeshkvijve.

Më tej ata u kanë bërë apel politikës, që të të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve si dhe të bëhet një proces transparent dhe i rregullt administrimi. “T’i lutemi Zotit për një Shqipëri që di të garantojë zgjedhje të lira dhe demokratike e për një mbarëvajtje të procesit zgjedhor të 23 qershorit 2013”, përfundon apeli i Kishës Katolike.

Kisha Ortodokse e Shqipërisë u kërkon jo vetëm besimtarëve të saj, por të gjithë qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e votës me përgjegjësi. “Për Kishën Ortodokse çdo besimtar është qytetar i përgjegjshëm, i aftë të gjykojë e të veprojë për të mirën etij dhe të të gjithë komunitetit.

Dhe këtë zgjedhje ai e bën nëpërmjet votës. Ndaj ne u bëjmë apel të gjithëve, jo vetëm  besimtarëve, që të dielën, të shkojnë e të shprehin vullnetin e tyre politik, me përgjegjësi dhe maturi”, - shprehen përfaqësuesit e Kishës Ortodokse në vend.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 23.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)