TIRANE- Zgjedhjet e 2009 lanë një shije të hidhur për opozitën, kjo përveç faktit të humbjes së saj, por dhe “tradhëtisë” së disa komisionerëve të saj. Lidhur me këtë, në një nga takimet e tij, gjatë vitit të shkuar kreu i PS, shprehu hapur mënyrën e mbrojtjes së votës në 23 qershor. Për pasojë, Rama ka folur për domosdoshmërinë e mbrojtjes së votës, duke pranuar për herë të parë publikisht se fenomeni i blerjes së votave u vu re edhe tek komisionerët socialistë. “Zgjedhjet nuk mbrohen vetëm nga ligji. Zgjedhjet, ligji mund t’i mbrojë vetëm nëse secili e mbron lirinë e tij për të votuar dhe të drejtën e tij që vota të numërohet ashtu siç duhet. Kjo është e vetmja rrugë. Të gjithë e keni parë Saliun kur vajton për komisionerët socialistë duke thënë që ‘si ka mundësi që vetë kryetari i PS-së dhe vetë deputetët e Partisë Socialiste hedhin hije dyshimi mbi komisionerët socialistë, unë i dua ata, i respektoj ata, unë i nderoj ata, ata bënë një punë të shkëlqyer’. Në fakt e vërteta është se pa atë pjesë të komisionarëve që korruptohen, Saliu nuk do të kishte qëndruar një ditë në karrigen e Kryeministrit. Ama është detyra jonë, detyra e gjithsecilit prej nesh, që të garantojmë se askush nuk i negocion 4 vjet nga jeta e tij, për çfarëdo oferte që i bëhet në ditën e zgjedhjeve. Ndryshimi i vitit të ardhshëm është i gjithi në dorën tonë. Unë nuk besoj se pas atyre të vitit 1992 Shqipëria ka pasur zgjedhje më të rëndësishme dhe udhëkryq më kritik sesa ai i vitit 2013. Viti 2013 do të përcaktojë shumëçka, jo për katër vitet e ardhshme, por për një dekadë”, ka thënë Rama për komisionerët në një takim që ka patur me socialsitët e qarkut të Lezhës.

(Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)