FIER- E pasur në resurse, e vendosur vetëm 12 km larg qytetit të Fierit, Apolonia është kthyer së fundi në një destinacion të preferuar turistik për vizitorë vendas dhe të huaj.
Të tërhequr pas kulturës së pasur dhe vlerave historike të lashtësisë të qytetit Antik, turistë të ardhur nga Polonia dhe vënde të ndryshme të botës shprehen se ndihen të kënaqur që po shijojnë natyrën dhe bukuritë e monumenteve arkeologjike që datojnë që në periudhën helene dhe romake.
“Vij nga Polonia, kemi ardhur me një grup turistësh polak me një agjenci udhëtimi. Ne jemi këtu pasi jemi të interesuar për arkeologjinë dhe duhet thënë Shqipëria që është një vend interesant sidomos monumentet arkeologjike janë të rëndësishme dhe interesante për ne pasi është një vend autentik. Është interesant për ne për ta vizituar si vend, pasi ne nuk e dinim që vende kaq të bukura ekzistonin në Shqipëri.
“Është një vend shumë i këndshëm dhe njerëzit janë shumë mikpritës. Jemi shumë të lumtur që ndodhemi këtu", shprehen turistët.
Drejtuesja e parkut Arkeologjik, Ornela Durmishi është shprehur se për shkak të kushteve te pandemise nuk e prisnim këtë fluks turistësh që shkon nga 50 deri ne 100 vizitorë në ditë.
“Pritshmëria jonë ishte që vizitat të ishin të ulëta, le të themi duke marrë parasysh një vit më përpara që kemi patur një mbyllje totale të Shqipërisë, por me lehtësimin e masave dhe hapjen e vendit për vizitorët shohim një rritje të lehtë të vizitorëve gjatë këtyre muajve. Numri varion 50 deri në 100”, tha Dyrmishi.
Përtej mureve të Apolonisë së lashtë prej kohësh vijojnë gërmimet arkeologjike ku deri tani janë zbuluar mbi 100 skelete të Nekropolit antik që mendohet se i përkasin periudhës romake të shekullit te 3-5 pas krishtit.