Arben Ahmetaj: Mandatin e dytë 
pagat e larta dhe më pak taksa

Arben Ahmetaj: Mandatin e dytë <br />pagat e larta dhe më pak taksa
Qeveria Rama, në një mandat të dytë, do të thellojë më tej skemën e taksimit progresiv, sipas së cilës pagat më të larta ngarkohen me një normë më të lartë, dhe të përshkallëzuar, taksash mbi të ardhurat se sa ato që qendrojnë në fund të piramidës së pagave të të punësuarve.  

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, nënvizoi dje, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, se qeveria vijon t’i mbetet besnike skemës së taksës progresive dhe suksesit të saj në shpërndarjen e të ardhurave në ekonomi dhe për këtë do të ketë një rishikim me tendencë zbutjen e saj.

Ai dha pak detaje lidhur me këtë objektiv, por la të kuptohej se shkalla e taksimit për pagat më të larta do të ulej. “Do të zbusim progresivitetin për ata që i kanë rrogat mbi 130 mijë lekë në muaj”, u shpreh ai. “Të mos harrojmë përfitimet e qytetarëve shqiptarë nga zbatimit i taksës progresive. Ishin 97 për qind e shqiptarëve, me pagat më të ulëta, që përfituan rreth 50 miliardë lekë në katër vjet qeverisje”, tha ministri.
 
Reformat
“Kemi lënë mbrapa një krizë të rëndë të ekonomisë. Ishin shkatërruar themelet e shtetit, respektimi i ligjit, pagesa e taksave”. 
Nga ana tjetër, Ahmetaj u shpreh se qendrimi i PD për një taksë të sheshtë prej 9 përqindësh, më të ulët akoma se ajo prej 10%, që PD implementoi gjatë viteve të qendrimit në pushtet, ka në themel rrënimin e qytetarëve. “Taksa progresive është një përpjekje serioze për të ulur pabarazinë. Jemi këmbëngulës për reformën në drejtësi dhe zhvillimin e vendit”, deklaroi ministri Ahmetaj.

Ai vlerësoi reformat financiare, në pensione, sistemin energjetik dhe shprehu shpresën se Reforma në Drejtësi do të sjellë ndryshime edhe më të mëdha.
Për shkak se ne e kemi kaluar krizën, për shkak se kemi një trajektore ulëse borxhi, për shkak se dhe në një vit elektoral po i konsolidojmë financat dhe nuk po i degjenerojmë ato, do të zbusim progresivitetin për ata që i kanë rrogat mbi 130 mijë lekë në muaj”, tha Ahmetaj.
 
Ritmet
“Rritja ekonomike në 3-mujorin e parë 2017 shënoi rritjen më të madhe ekonomike në 5 vitet e fundit, me 2.96 %”, u shpreh ministri. Në 2016-n rritja ekonomike u përshpejtua në 3.5 për qind, ndërsa këtë vit qeveria pret që shifra të shkojë 3.8 për qind. Në fjalën e tij, Ahmetaj ka bërë me dije se ky është viti i parë elektoral me sufiçit buxhetor. Performanca e administratës doganore dhe tatimore, sipas tij, ka qenë në nivele të kënaqshme në periudhën janar-prill dhe të dhënat paraprake tregojnë për një ecuri më pozitive se plani në kahun e të ardhurave. “Të ardhurat tek akcizat, psh, nga cigaret kanë rritje 19%, vera 14%, pijet energjike 13% dhe karburantet 3.2% . Ndërsa i vetmi produkt që rezulton me ulje është birra”, tha ai.
 
Si ndikon në ekonomi prurja e parave të narkotrafikut?
 
Një nga pyetjet, që iu bënë kreut të Financave, ishte a mos vallë ka ndikim në ekonomi rritja e aktivitetit kriminal, kryesisht atij që lidhet me narkotikët apo kursi i ndryshuar valutor.

“Nuk ka vend që ka lulëzuar nga aktivitetet kriminale të vogla apo të mëdha qofshin këto. Zhvillimi ekonomik erdhi nga investimet e huaja, vendase, nga rritja e punësimit, nga rritja e kërkesës së brendshme dhe besimi i aktorëve në ekonominë shqiptare. Kemi bërë edhe me Bankën Botërore informalisht një test për kursin e këmbimit, nuk ka asgjë të veçantë të ketë ndodhur këto tre vite. 1.5 miliard u futën vitin e fundit nga turizmi dhe sigurisht që investimet e huaja, remitancat, turizmi kanë efekt të drejtpërdrejtë në vlerësimin apo nënvlerësimin e monedhës”, sqaroi Ahmetaj.

Për kreun e Financave, janë zhvillime të ligjshme ato që shpjegojnë forcimin e lekut ndaj euros.

Ahmetaj u ndal edhe tek ecuria e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, e cila ka sjellë për qytetarët një përfitim prej 250 milionë dollarësh.

Që nga 1 shtatori deri në 15 maj, në Shqipëri janë regjistruar rreth 48 mijë aplikime, me një vlerë totale prej 3.95 miliardë lekësh. Si rezultat i uljes së tatimeve, nga 15%, në 2%, qytetarët kanë kursyer 25.6 miliardë lekë. Sot për shkak të rivlerësimit të pronës së tyre, vlera e pronës së shqiptarëve është rritur me 1.9 miliardë lekë”, deklaroi ministri.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS