Arben Duka, i mposhtur nga Mona Liza

Arben Duka, i mposhtur nga Mona Liza
TIRANE- Femra është tharmi që e mbush poezinë e Benit, e bën atë të jetë e veçuar nga poezitë e gjithë të tjerëve poetë. Batica e fortë e muzës e ka shtyrë në një breg të lartë, të paarritshëm nga soji ynë. E mandej, në tërheqje e sipër, ka lënë shenjën e paçmuar nga lakmonjësit e fjalës - vargun e tij, të pashmangshëm. Ndryshe nga shumica prej jush, mua dhe Benin na lidh një arsye e fortë për të ndjekur krijimtarinë e ndërsjelltë. Antagonizmi i mendimit politik.

Por kjo më bën të jem e besueshme në fjalët që po them, pasi do të doja shumë të gërmoja në shabllone të llojit–bejte, lojë fjalësh, thënë për hir të pasionit të çastit. Nuk mund të ndodhë, pasi do të rrëzoj tërë atë mur të lartë që kam ngritur në mëvetësinë time kulturore për të dalluar, vlerësuar dhe pranuar mendimin e kundërt, si në politikë, si në familje, si në shoqëri. Aq më tepër në letërsi, ku të gjithë ndihemi çirakë para mjeshtërve të mëdhenj, që e kanë siguruar famën  pa kërkuar famë.

Librat e Arben Dukës  kanë zënë vend në raftet e bibliotekës sonë si shtresat gjeologjike, njëri pas tjetrit, të pangjashëm, të mëvonshmit të lidhur me pararendësin, pa mohuar asgjë, por duke kërkuar forma të reja shfaqjeje, duke rendur pas një muze më të menduar, pas një muzike poetike të kompozuar, si Hajdeni i famshëm, që krijonte një melodi të denjë për çdo instrument, duke na dhënë të tërën e përkorë. Një gjë e re, që nuk e kam hasur në librat e mëparshëm, është një tis i hollë trishtimi apo melankonie.

Njerëzisht është e kuptueshme, poetikisht, kjo është shenjë e epërme. Një cilësi dhe përftim mendimi që të shpie në poezinë e vërtetë, atë autoktone, që mungon te shumë të tjerë. Më kujtohet një poezi e mrekullueshme nga libri “Heroi i dashurisë”.  E rilexoj shpesh kur rrjedha e trishtimit të shpie në fundin e tunelit të një shprese pa dritë. Sepse vlera e poezisë qëndron sa i shërben lexuesit të panjohur: “Dhe kur këmbët të rëndohen porsi shkëmbi/Dhe një hap të mos hedhësh dot si njeri/Dhe kur gjer në shpirt dhimbja të të dhëmbi/Ti mos u dorëzo përsëri.”

Dashakeqët do të pëlqenin ta degdisin poezinë e krijuar nga Arben Duka në gurrën popullore. Kjo s’do do t’i bënte gjë më shumë se t’ia shtonte vlerën çdo vargu, çdo rime të qëmtuar, çdo motivi. Do t’i quanin vargjet e tij ‘bejte’, çka do më kujtonte më shumë Lasgushin dhe Dritëronin të përfolur në ditë të zezë, nga ziliqarë të dështuar. Nëse thuhet se poezia është arsyeja e bashkangjitur në muzikë, në rastin tonë, muzika dhe poezia e Dukës bëjnë një arsye e madhe  me emrin pasion... Është kryer magjia letrare: Është  gjetur emocioni, emocioni ka gjetur mendimin dhe mendimi ka gjetur fjalën. Ne kemi produkt që do të donim ta kishim krijuar vet. Kërkojmë të pamundurën, pasi poezi të  tilla dallohen njëqind vjet larg që janë firmuar nga muza e pangjashme e Arben Dukës.

Vetëm poezia e mund njeriun Arben Duka, as sëmundja, as mërgimi i fëmijëve, as ndonjë zënkë e zakonshme me Verën, as fyerjet dhe kundërshtarët politikë, a vetë politika kapriçioze, dhe as papunësia e herëpashershme. Them papunësi, pasi të papunë janë të gjithë ata pronarë mediash që nuk kanë në stafin e tyre një poet të kësaj natyre, i cili është si figurat tredimensionale, të duhen tri jetë për ta njohur të gjithin:  të duhet e shkuara, e sotmja dhe e ardhmja. Duke krijuar përfytyrimin e Mona Lizës, poeti jem një kumt- zhduk konceptin kohë e pjesshme. Krahasimi për bukurinë mbërrin skajin e epërm. Nuk ka më shumë... Vargjet për nënën janë sikur t’i kishte nxjerri malli i çdokujt prej nesh. Megjithatë, shkruar në poezi, ato marrin vlerë përtej personales.

“Tani vij rrallë te varri yt”, gjë tjetër s’më ka mbetur…” të paktën ti të ishe gjallë, t’i ndanim dhimbjet tok…”. Ai me vargjet e tij është kthyer në vendet që nuk i ka shëtitur kurrë më parë. Ka brejtur emocione më të thella, ka përvuajtur dhimbjen e skajshme dhe ka bërë zap me dashurinë e tij gjuhën shqipe. Nuk e ka lëshuar. Për hir të së vërtetës, ky promovim i takon zj.Vera, bashkëshortes së Arben Dukës.

Jo për përkushtimin e saj, jo për devotshmërinë, jo për mënyrën me të cilën ajo e do, çmon dhe lexon Benin e saj, por se është kjo lloj “Vere” në butet e jetës së Arben Dukës, që sa vjen dhe bëhet më e mirë, që sa vjen dhe i rrit vlerën vargjeve të poezisë së tij. Natyrisht, “…e kush do ishte ai burrë, t’i hidhte sytë te një tjetër, jo, kjo nuk mund të ndodhte kurrë, se Ajo, është një kryevepër.” Ju rrëfeva Mona Lizën e poetit dhe sekretin e krijimtarisë së tij të fortë. Për dëshpërimin, por pa lot, për dhimbjen, por pa rënkime, për revoltën, por pa pendime, për dashurinë, por pa i lënë mangët, asgjë një flakë vetëtime. Falemnderit Beni, na bere edhe ne pak të dehur nga mënyra jote e veçantë e kësaj mjeshtërie.  


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 31 Korrik 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Tiranë, 22 vjeçari merret forcërisht nga lokali e dhunohet në Shëngjergj nga babai i ish-të dashurës, vëllai i tij dhe kushëriri

Tiranë, 22 vjeçari merret forcërisht nga lokali e dhunohet në Shëngjergj nga babai i ish-të dashurës, vëllai i tij dhe kushëriri