Qindra të rinj, anëtarë dhe simpatizantë të LRI-së me mjaft entuziazëm, energji dhe besim shprehën mbështetjen e tyre për kandidatët që garojnë për kreun e LRI-së Durrës.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Kryetari i LRI-së, Endrit Braimllari, deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, dhe Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, si edhe përfaqësues të tjerë të LRI-së në këtë qark.
Ministri i Mjedisit, Lefter Koka tha se më e rëndësishme është puna në grup e vendosmëria e të gjithë anëtarëve të LRI-së për të punuar në mënyrë që Lëvizja Socialiste për Integrim të jetë forcë e parë në Durrës.
“Të bësh një votim në këtë klimë, në mënyrë kaq qytetare e demokratike tregon se ju keni filozofinë e respekti ndaj njëri-tjetrit dhe vendosmëria për të mbërritur në fitore. Pak rëndësi ka cili do jetë kryetari, është puna në grup e vendosmëria ajo që të gjithëve së bashku do të na çojë drejt të qenit forcë e parë në Durrës”, - tha Koka.
Më tej, ai u shpreh se LSI-ja do të vazhdojë të respektojë aleancat dhe do të fillojë punën për të treguar se tashmë është një forcë e konsoliduar.
“Një gjë kemi pasur si parim, përsa kemi ardhur në këto funksione, përsa kemi mbërritur këtu ku jemi: E kemi arritur këtë falë një sjelljeje e komunikimi me qytetarët dhe falë këtij qëndrimi morëm dhe besimin e qytetarëve. Dhe të ndryshosh sjellje kur je në pushtet, do të thotë të mos jesh më vetvetja apo ai personi, tek i cili njerëzit kanë besuar. Dhamë një kontribut shumë të madh. Bëmë që kandidati i koalicionit të jetë sot Kryetar i Bashkisë Durrës. Por ne do të vazhdojmë të ngelemi të njëjtë, të respektojmë aleancat, sepse kemi respektuar veten ndaj ajo që do bëjmë të gjithë së bashku është të fillojmë punën të tregojmë se jemi tashmë forcë e konsoliduar, jemi një nga forcat kryesore në Qarkun e Durrësit dhe ne do vazhdojmë të jemi forcë kryesore në qarkun e Durrësit”, - u shpreh Koka
Deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj tha se gjatë këtyre viteve LRI ka treguar një zë të fortë dhe kemi ditur që energjinë rinore ta përkthejë në punë të mira.
“Në gjithë këto vite kisha kujtuar se kisha marrë shumë leksione nga jeta, por në fakt në këto takime të fundit kam kuptuar që në LRI çdo ditë me kaq të rinj të mrekullueshëm dhe ekselentë që kemi mund të mësosh. Gjithmonë në jetë ka pengesa, vështirësi dhe ne duhet të kemi gjithmonë besimin dhe të gjejmë forcën tek vlerat tona se mund t’ia dalim mbanë. Ndaj mos u stepni. Forca dhe vrulli juaj di të dalë mbi politikën, di të dalë mbi palët, di të bëjë më të mirën për Shqipërinë që edhe këto probleme, që kemi aktualisht t’i kalojmë dhe Shqipëria të jetë vërtet pozitive”, - u shpreh Mehmetaj.
Kryetari aktual i Lëvizjes Rinore për Integrim, Endrit Braimllari, shprehu besimin se ekipi i cili do të marrë drejtimin e Lëvizjes Rinore për Integrim Durrës është një ekip i jashtëzakonshëm, që ka trashëguar vlerat më të mira të rinisë së këtij qyteti.
“Është një ekip i cili është premtues jo vetëm për të ardhmen, por është premtues edhe për të tashmen. Sfidat tona nuk janë sfidat se si ne do të drejtojmë njëri-tjetrin. Sfidat tona dhe beteja janë se si ne do të shërbejnë rinisë shqiptare. Ndaj unë ndihem krenar, pasi si këtu në Durrës, por edhe në garën kombëtare, Lëvizja Rinore për Integrim do të bëhet gjithmonë e më e fortë. LRI do të jetë gjithmonë më e hapur dhe gjithmonë e më bashkëpunuese”, tha Braimllari.
Kryetari i ri i Lëvizjes Rinore për Integrim të Durrësit, Arbi Shtylla u zotua se do të shërbejë me përkushtim dhe se çdo vendim që do të merret do të jetë gjithëpërfshirës.
“Ti shërbesh LRI-së dhe një grupimi të jashtëzakonshëm siç jeni ju është një privilegj pasi ky nuk është thjeshtë një grupim rinor. Tashmë LRI është një simbol. LRI do të thotë progres, integrim, e ardhme, një zë real i rinisë dhe shqetësimeve të saj. Rinia është e ardhmja dhe është përgjegjësia jonë të përpiqemi e punojmë pa pushim - që rinia durrsake të ketë një jetë më të mirë, më shumë punësim, më shumë mundësi, më shumë shërbime dhe shpresë, njësoj me bashkëmoshatarët tanë të Europës. Unë zotohem sot përpara jush që jo vetëm do drejtoj duke ju shërbyer, por çdo vendim do jetë gjithëpërfshirës. Secili prej jush do ketë vlerësimin që meriton dhe ne së bashku do jemi një grup”, - tha Shtylla.
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)