Arbitri shqiptar Florian Lata do të drejtojë finalen e Kampionatit Europian U-17 “Estoni 2026”, një nga ndeshjet më të rëndësishme të kalendarit të UEFA-s për futbollin e moshave.

Finalja mes Belgjikës dhe Italisë do të luhet më 7 qershor në stadiumin “Lilleküla staadion” në Talin, në orën 19:00. Florian Lata është caktuar si arbitër kryesor, ndërsa në ekipin e arbitrimit do të jetë edhe asistenti shqiptar Mario Shazivari. Asistent i dytë do të jetë Nikola Borovic nga Serbia, ndërsa arbitër i katërt Thomas Gary Owen nga Uellsi.

Ky emërim vjen pas paraqitjeve shumë të mira të Florian Latës gjatë turneut final në Estoni. Arbitri shqiptar drejtoi ndeshjen hapëse të Kampionatit Europian U-17 mes Estonisë dhe Kroacisë më 28 maj, ndërsa më 1 qershor ishte gjithashtu arbitër kryesor në takimin Francë - Mali i Zi.

Besimi i UEFA-s për t’i besuar Florian Latës drejtimin e finales është një vlerësim i rëndësishëm për performancën e tij gjatë turneut.