Njeriu gabon kur mendon se prania e tij ka vlerë kudo. Jo çdo vend është i denjë për të të pranuar dhe jo çdo njeri është i aftë të njohë vlerën e tjetrit. Urtësia nuk qëndron te këmbëngulja për të mdenjur, por te aftësia për t'u larguar në kohën e duhur.
Dinjiteti nuk duhet shpërdoruar duke kërkuar vend aty ku mungon respekti. Dashuria nuk lypet, respekti rrallëherë imponon dhe vlerësimi nuk lind nga servilizmi. Kush të sheh si të tepërt sot, nuk do të të bëjë të domosdoshëm nesër.
Më e dhimbshme se refuzimi është këmbëngulja për të qëndruar aty ku nuk je i mirëpritur. Sepse në atë çast nuk po humbet vetëm kohën; po humbet pak nga vetja. Çdo kompromis me dinjitetin është një fitore e tjetrit mbi ty.
Aksioma: "Atje ku nuk të duan, mos lër as hijen tënde" nuk është një thirrje për krenari boshe. Është një parim i dinjitetit. Hija është gjurma më e fundit e pranisë sonë; ajo që mbetet edhe kur ne largohemi. Të mos lësh as hijen do të thotë të mos ua dhurosh kujtesën tënde atyre që nuk ditën të respektojnë qenien tënde.
Ka një kufi ku durimi pushon së qeni virtyt dhe bëhet nënshtrim. Ka një kufi ku shpresa pushon së qeni forcë dhe bëhet iluzion. Pas atij kufiri, largimi nuk është ikje. Është akti më i lartë i lirisë.
Kjo është arsyeja pse njerëzit më të lirë nuk luftojnë të pranohen nga të gjithë. Ata zgjedhin të jenë besnikë ndaj vetes, edhe nëse kjo do të thotë të ecin vetëm. Sepse vetmia me dinjitet është më e lehtë se shoqëria pa respekt.
Nuk është problem që dikush nuk të do. Problem është kur harron të respektosh veten, vetëm për të fituar dashurinë e atyre që nuk e kanë pasur kurrë ndërmend ta japin.
Prandaj, kur e kupton se nuk të duan, mos u largo me zemërim dhe as me urrejtje. Largohu me qetësinë e atij që e di vlerën e vet. Dhe mos merr me vete vetëm trupin. Merr edhe hijen. Hija është simboli i dinjitetit dhe dinjiteti nuk lihet kurrë peng për t’u shkelur në tokën e atyre që nuk dinë kurrë ta vlerësojnë e ta nderojnë atë që bënte hijen mbi tokë.












Komente
Komento