8 Dhjetori nuk është vetëm një datë apo një ngjarje historike; as kujtim i largët i një revolte studentore që guxoi të përmbyste frikën. 8 Dhjetori është një pasqyrë: në të shohim se ku ishim si të rinj, ku jemi sot dhe, më e rëndësishmja, ku do të shkojmë, sidomos rinia, nëse heshtim.

Sot, më shumë se kurrë, rinisë shqiptare i duhet thënë troç, pa zbukurime, pa retorikë boshe:

Merruni me politikë. Përndryshe, politika do merret me ju. Dhe politika shqiptare nuk di të merret ndryshe, veçse duke shkatërruar.

Po, politika do merret me ju pa ju pyetur, pa ju kërkuar mendim, pa ju dhënë llogari, ashtu siç u mor me ne Studentët e Dhjetorit në vitet e para të pluralizmit dhe na dëboi e na shpërndau rrugëve të botës.

Po! Do t’ju vrasë... Jo me plumba, por me vendime të marra natën, me pazare të bëra në korridore të errëta, me ligje të shkruara për oligarkë, me reforma që kanë vetëm një funksion: t’ju dëbojnë.

Po, t’ju dëbojnë.

Qindra- mijëra të rinj ikin, jo se duan të shohin botën, por se s’u la politika asnjë centimetër tokë për të ndërtuar një jetë normale.

Do t’ju marrë shpresën, siç ju merr vendet e punës, mundësitë, të ardhmen. Pastaj, do t’ju marrë edhe juve: një pjesë do ta dëbojë me bileta pa kthim; pjesës tjetër do t’i vrasë të ardhmen ngadalë, nëpër zyra ku meritokracia është tallje, në institucione ku e drejta blihet dhe shitet, në lojëra pushteti ku rinia nuk ekziston veçse si staturë për postime propagandistike.

Dhe çfarë bën ju sot? Heshtni. Dorëzoheni. I thoni vetes: “Nuk më intereson politika!”

Gabim fatal.

Kur ju nuk interesoheni për politikën, “interesohet” ajo për ju.

ju fut duart në xhep, pastaj në mendje, pastaj në shpresë...

Pastaj ju hipën në një autobus ose avion dhe ju thotë: “Ikni se këtu s’ka vend për ju!”.

Aty do ta kuptoni se politika nuk ju vrau thjesht shpresat. Ju vrau të ardhmen pa asnjë të shtënë.

Ndërkohë, vendin e boshatisur nga ju e zë mediokriteti. E zë servilizmi. E zë kasta e njëjtë politiko- oligarkike që 35 vite e sheh vendin si pronë private: bën ligjet për vete, tenderat për vete dhe vazhdon të përtypë të njëjtat premtime të vjetra, duke ricikluar të njëjtët njerëz, të njëjtat mendësi, të njëjtët skenarë që çuan vendin në krizë pas krize dhe ju të largoheni.

E dini, kur tentuam përmbysjen e komunizmit ishim të rinj, si ju sot. Na kini ne si model, jo modelet e shëmtuara që promovohen çdo ditë. Nëse ju të rinjtë heshtni, do të vendosin të vjetrit. Nëse tërhiqeni, do të sundojnë të korruptuarit. Nëse ju të rinjtë dorëzoheni, mbetemi pa Shqipëri.

Merruni me politikë. Jo për t'u bërë domosdoshmërisht politikanë, por për të qenë qytetarë aktivë, kritikë, të paanshëm, të pamëshirshëm ndaj gënjeshtrës. Merruni me politikë duke votuar, duke kërkuar transparencë, duke kërkuar llogari, duke ngritur zërin, duke mos pranuar që fati juaj të shkruhet nga ata që nuk ju përfaqësojnë.

8 Dhjetori u fitua nga ne studentët që nuk kishim asgjë në dorë përveç guximit, ëndrrës e shpresës. Sot, ju të rinjtë keni shumë më tepër: zë, dije, botë, mundësi.

Por mbi të gjitha ju të rinjtë sot keni detyrimin moral të mos bëheni spektatorë të asgjësimit tuaj. E vërteta është e hidhur: Liria që fituam ne studentët e ‘90-ës po përdhoset nga apatia e studentëve dhe e të rinjve të sotëm, nga apatia juaj.

Është koha që ta kuptoni:

Nëse nuk merreni me politikë, do t’ju marrë politika si plaçkë.

Do t’ju marrë të ardhmen, dinjitetin, marrë zërin e, në fund, edhe vendin.

Është koha ta merrni fatin tuaj në dorë.

Nëse nuk merreni ju sot me politikë, do të merret ajo me ju dhe nuk do t’ju pyesë nëse keni kohë, dëshirë apo besim.