Dhe pasqyra, e lodhur nga gënjeshtrat që i fryhen çdo ditë mbi xham, nuk pati më nevojë as t'i përgjigjej kësaj pyetjeje retorike.

Të gjithë ata që guxuan të thoshin “dua të garoj”, u shpallën të papërshtatshëm. Disa u kthyen menjëherë në tradhtarë, të shitur, të kapur nga krimi, nga armiku, nga djalli vetë. Në këtë teatër grotesk, kandidati nuk kishte kundërshtarë; kishte vetëm armiq për t’u zhdukur politikisht.

Dhe kështu mbeti vetëm. Një “garë” me një vrapues. Një referendum me një emër. Një demokraci ku kutia e votimit kishte më shumë rëndësi sesa vota vetë.

Dhe prapë frikën e kishte se do dilte i dyti. Ashtu sikundër doli...

Ironia nuk përfundon këtu.

Megjithëse do fitonte edhe sikur një militant i vetëm të hidhte goglën në kuti, u kërkuan dhoma të fshehta, kuti të vulosura, procedura sigurie sikur po zgjidhej fati i planetit. Të dukej sikur jashtë selisë prisnin miliona njerëz për të rrëzuar diktatorin me një fletë votimi.

Pastaj erdhi kulmi i komedisë: zgjedhjet “më demokratike”. Pastaj “referendumi historik”.

Kur u shty orari edhe me një orë, mendova se mos fluksi ishte aq i madh sa komisionerët do numëronin votat nja një javë. Ndoshta duhej të sillnin edhe numërues nga NASA për të përballuar ortekun e votuesve.

Por jo.

Rezultati doli për më pak se 30 minuta. Aq shpejt sa dukej sikur votat kishin lindur të numëruara.

Dhe pastaj ai momenti melodramatik: buza që dridhej nga emocioni, zëri që përpiqej të dukej i mallëngjyer nga “besimi i demokratëve”. Një aktor që luante rolin e njeriut të votuar nga populli, ndërsa publiku shihte qartë se ishte vetëshpallur fitues në një pasqyrë ku shfaqej vetëm fytyra e tij.

Madje tha edhe se regjimit, kundërshtarit politik dhe shokëve të tij u ishte prishur gjumi.

Në fakt, gjumi u prishet zakonisht atyre që kanë frikë nga gara. Jo atyre që garojnë vetëm.

Kur nuk e urojnë as partitë “simotra”, thotë se “as unë nuk i kam uruar ata”. Një krenari fëminore, si ai nxënësi që mburret se nuk e përshëndeti askush në klasë sepse as ai nuk i përshëndet të tjerët.

Por kur e uroi kundërshtari politik…, heshti. Aty pasqyra nuk kishte më ç’të thoshte.

Dhe pasi militarët brohoritën; pasi u shpall rezultati i referendumit; pasi u shit si triumf historik një votim pa kundërshtarë, ai ua preu krahët vetë pasuesve të tij: “Edhe 13 vite në opozitë.”

Një lider normal do premtonte fitore dhe shpresë. Ky premtoi rezistencë biologjike deri në moshën 95-vjeçare, duke u krahasuar me një “shok pa emër”, që u bë kryeministër në moshën 95- vjeçare.

Dhe aty kuptohet tragjedikomedia. Nuk ka më parti që lufton për të ardhmen. Ka oborr ku një njeri flet me pasqyrën e vet dhe turma duartroket reflektimin.

“O tempora, o mores!”

Sa e trishtë është koha kur edhe humbja shitet si fitore; vetmia si referendum dhe rikonfirmim dhe frika nga gara si demokraci.