Ardian Hoxha: Loja
makabre e Berishës

Ardian Hoxha: Loja <br />makabre e Berishës
Ai nuk harron të theksojë se pas mbylljes së procesit gjyqësor, do ti kërkojnë llogari Sali Berishës për fatin e Remzi Hoxhës.

Ju kërkoni drejtësi dhe mbi të gjitha një varr jo bosh për babain tuaj, që ti bëni ritualet siç e kanë traditë shqiptarët, por ende asgjë. Mos ndoshta është loja e institiucioneve të Drejtësisë me çështjen "Remzi Hoxha", që e pengon zbardhjen përfundimtare të kësaj "historie"?
- Loja e institucioneve të Drejtësisë në Shqipëri ka qenë që ta ngadalësojnë procesin sa më shumë, në mënyrë që të blejnë kohë sa më shumë, që të implikuarit në krimin ndaj babait tim të jetojnë më shumë ditë në liri, ndërsa pëkrahësit e tyre sa më gjatë në pushtet. Në fund, me ndihmën e Gjykatës së Lartë ndodhi edhe një ngjarje tjetër që në fakt do t'iu blejë kohë edhe pak ditë. Kjo ishte, mundësimi i arratisjes së Ilir Kumbaros. Loja e vërtetë makabre, është që Sali Berisha të mbrojë me çdo kusht dhe në çdo mënyrë të implikuarit kyç në zhdukjen, torturimin, dhe më pas vrasjen e babait tim. Kjo besoj se bëhet për shkak se kjo në fakt është dëshmia më e fortë se, edhe Sali Berisha është i përfshirë në këtë krim së bashku me ata, në mos edhe në shumë krime të tjera. Përndryshe për çfarë arsye, do t'i mbronte ai?

Përflitet se ka një "plan", për të mbrojtur dhe zhdukur njëkohësisht njerëzit protagonist në rrëmbimin dhe zhdukjen e babait tuaj, e besoni?
- Nuk është se ka ndonjë plan. Unë mendoj se kjo ndodh si rrjedhojë e procesit, dhe në rastet kur dikush është me rëndësi të veçantë për procesin, atyre "u shpejtësohet vdekja" dhe si rrjedhojë humbet një hallkë e zinxhirit. Duke qenë se ekziston kjo praktikë, unë u bëj apel pjesmarrësve në krim që të rrëfehen dhe të tregojnë të vërtetën, ashtu si bëri edhe Avni Koldashi, derisa ata akoma janë të gjallë, sepse edhe ata do të rrezikohen një ditë "nga dora e zezë", në mënyrë që të vonohet e vërteta rreth procesit gjyqësor të zhdukjes së babait tim.
Në kohën e zhdukjes së babait tuaj, SHIK kishte një varësi të madhe nga presidenti Sali Berisha. Do ti kërkoni llogari atijndonjëherë, nëpërmjet organeve të drejtësisë?
- Ne jemi duke pritur të përfundojë ky proces gjyqësor. Normalisht që do të kërkojmë llogari edhe nga ai, Sali Berisha.

"Sebepi" i përndjekjes në Shqipëri i Remzi Hoxhës, ka qenë implikimi i tij në atentatin ndaj presidentit Gligorov, gjë që nuk u vërtetua kurrë, si është e vërteta? Pse SHIK, e ndiqte për këtë gjë?
- Babai im ishte një nga veprimtarët më të mëdhenj dhe më të suksesshëm në aktivitetet e tija patriotike, të cilat në atë kohë zhvilloheshin fshehtas nga regjimi serb. Normalisht se, përveç që ishte i përndjekur nga UDB-ja serbe, ai ishte i "mbikqyrur" edhe nga organet maqedonase. Dhe nga paniku, në momentin kur ndodhi atentati ndaj Kiro Gligorov, ata e shpallën babain tim si i dyshuari kryesor për atë akt. Në atë kohë, babai im ndodhej në Turqi, dhe as që kishte lidhje me këtë rast. Më vonë u vërtetua se ishte një grup nga Bullgaria që kishin përgatitur këtë atentat.

Si e komenton justifikimin e Gjykatës së Lartë, se "nuk bëhej korumi (6 me 6)", për ekstradimin e Kumbaros, dhe më pas u bë pasi, ai u zhduk?
- Unë mendoj se kjo ishte lufta në mes të mirëve dhe të këqinjëve. Së pari u përgatit i gjithë skenari i filmit, në mënyrë që të dukej sa më origjinal. Pas "lojës 6 me 6", Ilir Kumbaros iu hoq çipi elektronik që ai mbante. Më pas u bë loja e rradhës, e cila rezultoi në "7 me 6". Dhe në momentin që të këqinjtë humbën betejën, u vonua zbardhja e vendimin, u përgatit tereni për ikjen e Ilir Kumbaros, dhe "u ble edhe pak më shumë kohë".

Familjarët e Xhevat Hanës, dyshojnë se, sëmundja dhe vdekja e papritur e tij ka lidhje me çështjen, (në një intervistë timen me djalin e ti, Rezartin). Në fakt shumica e njerëzve në dijeni, janë ose të vdekur ose të zhdukur…s'dua të bëj konspiracion, por ndoshta këtu ka një "rastësi" fatale…si e komentoni?
Edhe unë jam i mendimit se edhe të ndjerit Z. Xhevat Hana, ju shpejtua vdekja. Nuk është e mundur që një njeri që nuk është edhe aq shumë i sëmurë, papritmas të vdes. Për më shumë, po të kishte qenë ndonjë sëmundje aq e rëndë, atij do t'i konfirmohej kjo gjë, që nga dita e parë në spitalin publik të Tiranës.

Ju kanë kërcënuar, apo ofruar ndonjë gjë, që të mos e ndiqni më çështjen e babait?
- Mendoni se do të na ndal neve ndonjë kërcënim? Ne jemi familje shumë e madhe dhe kemi miq shumë. Gjysma e UÇK-së, janë miq të afërm të familjes, ashtu si dhe të gjithë udhëheqësit e partive politike shqiptare, si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni. Ne nuk kemi zgjedhur rrugën e forcës, por rrugën ligjore për ta zbardhur fatin e babait tim, andaj nuk do të ndalemi deri sa ta zbardhim fatin e babait tim dhe t'i gjejmë eshtrat e tija.
Dyshohet se edhe Ilir Kumbaro, është zhdukur (vrarë) dhe janë hapur fjalë, një alibi ndoshta, se aktualisht është në Kinë. Mendoni se "zhdukja " e tij, e mbyll çështjen?
- Në fakt, Ilir Kumbaro, para disa vitesh kishte udhëtuar në Kinë me pasaportën që kishte me emër të Shaqa Shatrit. Kjo është keqkuptuar nga mediat angleze. Nuk mendoj se Ilir Kumbaro është vrarë. Mirëpo edhe po të vritej ai, procesi do të vazhdojë, sepse ka fakte të mjaftueshme të deponuara në prokurori që vërtetojnë gjithçka. Është pritur deri tani që të dëshmojë edhe ai personalisht, sepse kështu e kërkojnë procedurat ligjore. Mirëpo do të ishte mëkat për të në rradhë të parë, që ai të ndahej nga jeta me këtë krim mbi supet e tija, siç edhe i ndodhi Bashkim Gazidedes.
(shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet