Argjentina është ekipi i radhës që kalon në gjysmëfinalet e kampionatit botëror. Sfida çerekfinale përballë Belgjikës u ka buzëqeshur latinëve që sigurojnë gjysmëfinalet pas 24 vitesh. Ndeshja është vendosur nga goli i sulmuesit të Napolit, Gonzalo Higuain vetëm pas 8 minutave nga fillimi i lojës.

Higuain përfiton nga një rreshtim i gabuar i mbrojtjes belge duke lëshuar një predhë në drejtim të portës së Kuortis, i cili nuk mundet të bëjë asgjë, veç se të shikojë topin që përfundon në rrjetë. Goli ndezi lojën, me të rinjtë e talentuar të Belgjikës që nuk u dorëzuan për shumë minuta duke mbrojtur dhe sulmuar me një ritëm të lartë.

De Bryne, Mirales dhe Felain tentuan në shumë mënyra për të gjetur rrjetën, por zbritjet e shpejta të evropianëve nuk arritën që të konkretizohen me sukses, kjo për mungesë të eksperiencës, por edhe falë mbrojtjes argjentinase që ishte në një ditë të mirë.

Ndërsa latinët rastin më të mirë për shënim e kishin me Mesi në minutën e 4 shtesë, por përballë portierit Kuortis nuk arrin që të shënojë, gardiani belg është kthyer në një mace të zezë për sulmuesin. Humbja e vetme e Argjentinës në çerekfinalen me Belgjikën ishte dëmtimi i mesfushorit të talentuar Di Maria, i cili u largua në pjesën e parë pas një tërheqje muskulore, por dëmtimi sipas ekzaminimeve paraprake nuk do ta kushtëzojë për ndeshjen gjysmëfinale.


d.b/shqiptarja.com