Arkeologji, zbulimet 3200-vjeçare
të Lofkëndit botohen në Amerikë

Arkeologji, zbulimet 3200-vjeçare<br />të Lofkëndit botohen në Amerikë
TIRANE- Tuma e zbuluar në Lofkënd të Mallkastrës në vitin 2007 është varri më i hershëm që i përket një periudhe 3200-vjeçare i gjendur në këtë zonë. Tashmë ky zbulim për nga rëndësia dhe informacioni që mbart po kthehet në një objekt studimi të arkelogjisë amerikane dhe asaj botërore, i cili plotësohet, jo vetëm me zbulimet e rralla të bëra në një periudhë prej 8 vjetësh, por edhe me një botim voluminoz në gjuhën angleze të Studimeve Ndërdisiplinore Arkeologjike në Tumën e Lofkëndit (Ballsh).

Libri ka për autor John K. Papadopoulos, Sarah P. Morris, arkeologun shqiptar Lorenc Bejko dhe Lynne A. Schepartz
“Ky varr qendror për nga lloji i varrimeve është i veçantë dhe i vetmi i zbuluar deri tani”, tha profesori i universitetit të Los Anxhelosit në SHBA, John K. Papadopoulos, gjatë prezantimit të zbulimeve dhe studimeve të bëra rreth varreve tumulare, dje në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Grupi i arkeologëve amerikanë dhe shqiptarë që nga viti 2006 kanë kryer disa sezone gërmimesh në varrezat tumulare të antikitetit të hershëm në Shqipëri.

Autorja e librit Sarah P. Morris ka rrëfyer sesi gjetjet e disa niveleve të sketeleve të zbuluara në këto varreza janë bërë objekt studimi i këtij libri voluminoz. John K. Papadopoulos ka pohuar se në këtë tumë janë gjetur rreth 144 skelete njerëzish, ndërsa numri i varreve ka qenë rreth 96. Arkeologu Papadopoulos pas disa studimeve të mirëfillta ka zbuluar se në këtë tumë evidentohen edhe varrime të njerëzve të sjella nga varre të tjera.

“Kjo vërehet nga mënyra e vendosjes së skeleteve në forma të mbledhura”, tha ai, ndërsa ka bërë një studim më të detajuar të fakteve të zbuluara. John  Papadopoulos foli edhe për rëndësinë e veçantinë e këtij varri, ku brenda tij janë gjetur elementë zbukurimi, si emblema prej hekuri dhe bronzi dhe materiale të tjera të çmuara, përfshi dhe mbetje tekstili.

Interesant e bënë këtë zbulim tipologjia e kafkave njerëzore dhe gjetja e skeleteve të kafshëve në varre. Duke e konsideruar si zbulim tepër të veçantë në nekropolin e Lofkëndit në rrethin e Mallakastrës, ekspedita e arkeologëve shqiptarë në bashkëpunim me “Cotsen Institut”, Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos në SHBA dhe Institutin Arkeologjik të Akademisë së Shkencave si dhe qendrës Ndërkombëtare për arkeologjinë ka vijuar një projekt me rëndësi të madhe edhe në fushën e arkeologjisë botërore.

Profesorët e universiteteve amerikane kanë vijuar studimin dhe kërkimin së bashku me studentët e këtyre universiteve, duke i ofruar arkeologjisë amerikane dhe asaj botërore kulturën e qytërimit të lashtë shqiptar, atij ilir e parailir, bazuar në zbulimet e bëra në gjithë zonën e Mallakstrës, për të cilat libri ka studime të mirëfillta që lidhen me mënyrën e jetesës, kulturën dhe zakonet e banorëve, cilët ishin ata dhe si banonin.

Emrat më të spikatur të arkeologjisë si John Papadopoulos, Sarah Morris, arkeologu shqiptar Lorenc Bejko dhe Lynne Schepartz kanë nxjerrë në dritë objekte të pafundme zbukurimi si gjilpëra, aksesorë e fibula, të cilat kanë një vlerë të jashtëzakonshme muzeale dhe histori të shkruar në simbolikat e tyre. Ajo që të bie në sy ndër mjetet e zbukurimit është edhe dekoracioni i një zbukurimi që iu ka mbijetuar të gjitha kohërave dhe gjendet ende tek brezi i kostumeve tradicionale të grave shqiptare.

Zbulime të ralla janë konsideruar nga të katër studiuesit enët e veçanta të qeramikës, simbolet e papërsëritshme të gdhendjeve tek objektet e zbuluara dhe rituali specifik i varrimeve që konsiston në kulturën e vjetër e unike të një popullsie që ka qenë autokone që në zanafillat e saj në këto treva.
 
Si jetohej 1200 vjet para erës sonë
 
Gërmimet në nekropolin antik të Lofkëndit, Ballsh, Shqipëri kanë nisur që në vitin 2006 dhe në vitin 2007 u shpall zbulimi i varrezës së rrallë tumulare (kodër-varr), që sipas profesorit amerikan Papadopuolos “daton në vitet 1100 deri në vitet 600 para erës sonë, ndërsa ka edhe elementë që mundet të datojnë edhe në vitin 1200 para erës sonë”.

Zbulimet e ekspeditës amerikano-shqiptare janë shtrirë pas kësaj edhe fshatin Gjinoqar, rreth 15 km në juglindje të qytetit të Fierit, i cili ruan pasuri të vyera arkeologjike, që i përkasin periudhës parahistorike. Nga gërmimet intesive të viteve të fundit gjetjet në fshatin Lofkënd shërbyen si shtysë për thellimin e punimeve dhe kryerjen e një sërë sondazheve e studimeve për vite me radhë në këtë zonë nga universitetet amerikane. Në këto varreza u zbulua se sipas traditës së hershme të varrimit së bashku me kufomën varroseshin edhe sende me vlerë.

Objektet e vlerat e gjetura në këto varreza flasin gjuhën e historisë që ruan në nëntokë treva e Mallakastrës që nga antikiteti i hershëm e deri në mesjetën e hershme, si një vend i  banuar intesivisht dhe shumë i begatë. Thuajse në të gjitha fshatrat rrotull ka shenja të varreve monumentale, të tempujve, të kishave paleokristiane, etj.
mallakaster
































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 24 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në Himarë/ Në dy qendra votimi në fshatin Kuç nuk ka nisur ende votimi! Në një QV u bë afishimi i listave sot

Zgjedhjet në Himarë/ Në dy qendra votimi në fshatin Kuç nuk ka nisur ende votimi! Në një QV u bë afishimi i listave sot