Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka denoncuar ngritjen nga qeveria të kompanive shtetërore që, sipas saj, funksionojnë jashtë standardeve të transparencës dhe llogaridhënies.

Sipas Tabakut, kompania shtetërore KAYO, Banka Shqiptare e Zhvillimit dhe Korporatën e Investimeve Shqiptare janë “ishuj” të një “arkipelagu paligjshmërie” që kanë krijuar një “realitet të ri ekonomik” pasi paratë, pasuritë dhe rreziku janë publike, ndërsa vendimmarrja, e përqendruar.

Ajo kërkon që çdo kontratë, partneritet dhe transferim të bëhet publik, çdo shoqëri shtetërore që përdor fonde publike t’i nënshtrohet kontrollit të plotë të Kuvendit, KLSH dhe institucioneve të tjera, përgjegjësi për paratë e shpenzuara dhe rikthim të konkurrencës.

“Së pari, çdo kontratë, partneritet dhe transferim i pasurisë publike duhet të bëhet publik, së bashku me kriteret e përzgjedhjes, vlerësimin ekonomik dhe përfituesit fundorë. Së dyti, çdo shoqëri shtetërore që përdor fonde, prona apo garanci publike duhet t’i nënshtrohet kontrollit të plotë të Kuvendit, Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe institucioneve të tjera të pavarura. Së treti, bordet dhe drejtuesit duhet të mbajnë përgjegjësi personale për çdo vendim, çdo kontratë dhe çdo euro të shpenzuar. Së katërti, duhet të rikthehet konkurrenca reale dhe e barabartë”, thotë Tabaku.

“Ne kundërshtojmë privatizimin e përfitimit dhe shtetëzimin e rrezikut. Kundërshtojmë një model ku privati merr kontratën, ndërsa qytetari mban faturën nëse projekti dështon”, thotë Tabaku për KAYO-n duke shprehur përkrahje për prodhimin shqiptar.

Të njëjtin mendim ndan edhe për Bankën Shqiptare të Zhvillimit, të cilën s’e quan ide të gabuar.

“Problemi është se kush e kontrollon, si i zgjedh përfituesit dhe kush paguan kur kreditë nuk kthehen”, thotë Tabaku.

Kërkesa e saj është që mbikëqyrja mbi të të jetë e plotë.

“Kërkojmë që çdo kredi e madhe, çdo garanci shtetërore, çdo përfitues dhe çdo ekspozim fiskal të jenë të kontrollueshme dhe, kur nuk ka pengesë ligjore, publike”, thotë Tabaku.

Te Korporata e Investimeve Shqiptare, Tabaku vëren “kontrast tronditës” sepse në rastin e shpenzimeve të mëdha nuk ka transparencë.

“Pse sa më e madhe vlera, aq më e vogël transparenca? Kontrolli i Lartë i Shtetit, në auditimin e tij, ka evidentuar planifikim të pamjaftueshëm, mungesë metodologjish të standardizuara për përzgjedhjen dhe menaxhimin e projekteve, analiza të paplota të rrezikut dhe përfitueshmërisë, si edhe një hua prej 2 miliardë lekësh që nuk u shlye brenda afatit fillestar”, vijon deputetja.

Edhe për “Durana Tech Park” që opozita e ka cilësuar “parajsë fiskale”, akuzë që ministrja e Inovacionit, Delina Ibrahimaj e ka kundërshtuar, Tabaku thotë se duhet parë me të njëjtin standard kur bëhet fjalë për privilegje fiskale.

Sipas saj, të tri këto projekte janë të ndërlidhura nga “ligje të posaçme, vendimmarrje e përqendruar, kufizim i garës, kontroll i pamjaftueshëm dhe rrezik që përfundon te taksapaguesi.”

Deputetja demokrate theksoi se pasojat e këtij sistemi paguhen çdo ditë nga qytetarët. Ajo theksoi se synimi i opozitës duhet të jetë shembja e sistemit të klientelizmit dhe ndërtimi i një qeverisjeje që punon për Shqipërinë.