TIRANE - Stefano Carlone, 28-vjeç nga Bari, së bashku me Mirko-n dhe Gianmarco-n në tetor të 2014-s kanë hapur një dyqan dezajni made in Italy në zemër të kryeqytetit shqiptar. “Po të kishim dashur të bënim të njëjtën gjë në Itali do të na ishte dashur të investonim 5 herë më shumë, për të marrë një të pestën. Për të mos folur për kohëzgjatjen (e procedurave)”.

Gjysëm ore fluturim ose një natë udhëtim me traget. Bari dhe Tirana janë fare pranë. E di mirë Stefano Carlone, 28-vjeç, arkitekt barez, i cili vetëcilësohet si një “emigrant në kah të kundërt”: porti nga i cili përpara njëzet vjetësh ia mbathnin qindëra shqiptarë sot është kthyer në një bazë të sigurt për italianët, kryesisht puljezë, në kërkim të punës dhe të një jete të re. Pas diplomimit te Politekniku i Barit, dhjetëra jetëshkrimeve të dërguara dhe muajve të praktikës në studimet e inxhinierisë, Stefano vendosi të përgatiste valixhet dhe të nisej për në Tiranë. Këtu, së bashku me dy miq të tjerë puljezë, një tjetër arkitekt dhe një dizajner, hapi një studio projektimi dhe një dyqan arredimi: gjithçka rigorozisht made in Italy. “Është një bast”, tha Stefano, “por në Itali do ta kishim humbur pa filluar ende”.

Burokracia e pakët dhe taksat minimale kanë qenë mes arsyeve që i shtynë djemtë të niseshin: “Brenda dy ditësh hapëm kompaninë. Ditën e tretë ishim aktivë. Po të kishim dashur të bënim të njëjtën gjë në Itali, do të na ishte dashur të investonim pesë herë më shumë, për të fituar një të pestën. Për të mos folur më pas për kohëzgjatjen”. I priti një vend “që po rritet shumë” dhe që është “i gjallë, me shumë dëshirë për revansh. Dhe mbitëgjitha i dashuruar me Italinë”.

Brenda më pak se një muaji, në tetor 2014, Stefano (në qendër të fotos), Mirko Dell’Agnello (arkitekt, majtas) dhe Gianmarco Buongiorno (dizajner, djathtas) kanë hapur dyqanin e tyre të dizajnit në zemër të Tiranës. Kartvizita e tyre është shitja e prodhimeve mada in Italy: pjata qelqi të Muranos, qëramika puljeze – të ashtuquajturat “pimi” të Grottaglie-s – abazhurë dhe aksesorë të tjerë arredimi të realizuar në Itali janë shumë të kërkuara, sidomos nga shtresa e mesme dhe e lartë kryeqytetit. “Shqiptarët tërhiqen shumë nga kreativiteti italian, nga idetë tona, nga mënyra se si punojmë. E kërkojnë shumë një bashkëpunim me ne dhe kanë shumë dëshirë të mësojnë nga kultura jonë”, shpjegoi Stefano. “Për më tepër thuajse të gjithë flasin apo kuptojnë italisht dhe kjo është e rëndësishme për ne”.

Krahas dyqanit, djemtë drejtojnë edhe një studio projektimi dhe konsulence arkitektonike: “Qëllimi është të ofrojmë zgjidhje të personalizuara dhe këshilla për arredimin e brendshëm, qoftë edhe për dikë që hyn në dyqan sa për të blerë një objekt”. Nga zonja e moshuar e pashmangshme e zonës te biznesmeni nga Dubai që është kalimthi në Tiranë për punë. “Të qëndrosh në një vend është thelbësore për të kuptuar më mirë dinamikat lokale dhe për t’u bërë të njohur”, por lidhjet me Italinë nuk janë ndërprerë. Në fakt, si suport për fazat më delikate të projektimit dhe të ristrukturimit, është një koleg i katërt, arkitekt me disa vite më shumë përvojë, i cili nga studio e tij në provincën e Barit bashkëpunon me djemtë dhe përbën pikërisht “studion 3+1”.

“Po të kisha qëndruar në Itali do më ishte dashur të kënaqesha me atë që ofron vendi ynë tani: pagesa sa për të thënë, stazhe falas, punë pa kontratë dhe pasiguri. Ndërsa këtu më është dhënë një mundësi dhe po e shfrytëzoj plotësisht”. Sigurisht, në fillim vështirësitë nuk munguan: “Të administrosh njëkohësisht transferimin në një qytet të ri, pa njohur askënd dhe të nisësh aktivitetet e ndryshme nuk ka qenë e lehtë, por na kanë ndihmuar shumë vëndasit. Na dhanë të dhëna dhe këshilla për të shmangur gtabimet klasike të shkaktuara nga mungesa e përvojës nga ata që sapo kanë ardhur në një territor të ri. Shumë i rëndësishëm ka qenë takimi me Unioncamere Puglia këtu në Tiranë. Aty kuptuam tre gjëra: duhet të lëshoheshim, të përpiqeshim dhe të qëndronim në vendin ku jemi”. Dhe kështu ndodhi.

Bilanci do të bëhet rrethy një vit e gjysëm pas fillimit, por muajt e parë janë shuëm shpresdhënës. “Duhet të kuptojmë nëse po shkojmë në drejtimin e duhur apo nëse do të jetë rasti që të ndryshojmë diçka”, hamendësoi Stefano, “në rastin më të keq i mbyllim të gjitha dhe kthehemi në shtëpi. Gjithsesi pas krahëve do të kemi një eksperiencë solide, e dobishme për të ardhmen. Dhe humbja e burimeve të investuara nuk do të jetë kurrë sa ajo që mund të kishim patur në Itali”.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)